Gjatë 24 orëve të fundit, Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar 39 raste të reja me koronavirus dhe 19 pacientë të shëruar, raporton Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.
Gjithashtu janë regjistruar pesë viktima. Sipas ministrisë ka humbur jetën një pacient nga Shkupi (69 vjeç), i shtruar në spital më 15 maj.
Në SPQ “8 Shtatori” vdiq një pacient nga Struga (70 vjeç), i pranuar në spital më 17 maj, si dhe dy pacientë me moshë 70 dhe 47 vjeç nga Shkupi.
Në raportin e ISHP-së është evidentuar edhe një foshnje nga Shkupi, që me kërkesë të prindërve është transportuar me avion për në Zvicër, ku edhe vdiq.
Në 24 orët e fundit janë kryer 1 120 teste, ndërsa janë raportuar 35 raste të reja me COVID-19, prej të cilëve 22 janë regjistruar në Shkup, katër në Kumanovë, një në Shtip, gjashtë në Tetovë, dhe nga një në Strugë dhe Gostivar.
Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me COVID-19 që nga fillimi i epidemisë është 2 164, ndërsa numri i pacientëve të shëruar është 1 535.