Për të 26-n ditë rresht, në Mal të Zi nuk është regjistruar asnjë rast i ri me koronavirus.
Kjo është bërë e ditur të shtunën nga autoritetet shëndetësore të Malit të Zi. Në këtë vend numri i rasteve aktive mbetet zero. Sipas njoftimit, në 24 orët e fundit janë analizuar 195 mostra. Në Mal të Zi janë regjistruar gjithsej 324 raste me koronavirus. Prej tyre 315 janë shëruar, ndërsa kanë vdekur nëntë persona.
Ndërkohë në Serbi janë 27 raste të reja në 24 orët e fundit, ndërsa nuk janë regjistruar viktima.
Në Bosnjë-Hercegovinë është raportuar për të paktën nëntë raste të reja të shtunën, kurse në Kroaci është raportuar vetëm për një të infektuar të ri.
Ndërkohë në Slloveni të shtunën nuk është raportuar asnjë rast i ri. Qeveria sllovene për shkak të gjendjes së mirë epidemiologjike të dielën do ta shpallë fundin administrativ të epidemisë, pas 80 ditëve. Në Spitalet në Lubjanë dhe Maribor janë vetëm edhe shtatë pacientë.