Presidenti amerikan, Donald Trump ka mbajtur një fjalim pas nisjes së suksesshme të anijes kozmike të SpaceX.
Trump falënderoi astronautët e Crew Dragon, si dhe themeluesin e SpaceX, Elon Musk, për suksesin e misionit.
Ai e veçoi Musk në veçanti si dikush që “mishëron me të vërtetë etosin amerikan” duke ndërmarrë një rrezik për themelimin e kompanisë së tij.
“Ai mund të kishte shpenzuar pasurinë e tij duke bërë asgjë. Por, në vitin 2002, ai filloi të derdhi dhjetëra miliona dollarë të parave të tij në kërkime dhe zhvillime për një raketë të re.”
Ai e ka përgëzuar Elon Musk për përmbushjen e një ëndrre dekadash, pasi lëshime nga toka amerikane nuk ka pasur që nga pensionimi i anijes hapësinore në 2011. Kështu SpaceX bëhet kompania e parë private amerikane që dërgon njerëz në hapësirë pas nëntë vitesh.
Trump theksoi rëndësinë që kishte ky zhvillim për amerikanët, duke thënë: “Siç thuhet shpesh, nuk mund të jesh numri një në Tokë nëse jeni numri dy në hapësirë. Ne nuk do të jemi numri dy askund.”
Presidenti kritikoi gjithashtu administratën e Barack Obamës për dështimin e saj për të bërë më shumë në hapësirë.
“Kur erdha për herë të parë në detyrë, tre vjet e gjysmë më parë, NASA kishte humbur rrugën e saj, kishte humbur eksitimin, energjinë dhe ambicien, siç e dinë pothuajse të gjithë në këtë dhomë” – tha Trump, citon Space News.
Ai e konsideroi industrinë komerciale të hapësirës si të ardhmen.