Të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së, kanë zhvilluar një protestë para Ministrisë së Arsimit ku kanë kërkuar dorëheqjen e ministres Shahini lidhur me përdhunimin e 15-vjeçare në Babrru.
Ata thanë se Shahini vijon të heshtë ende lidhur me abuzimin ndaj së miturës nga roja e shkollës në Babrru të Tiranës.
Të rinjtë deklaruan gjithashtu se Besa Shahini është përgjegjëse për braktisjen e sistemit arsimor dhe rritjen e pasigurisë për fëmijët në shkolla.
“Heshtja është abuzim për së dyti. Ajo mbahet përgjegjëse për braktisjen sistemit arsimor dhe rritjen e pasigurisë për fëmijët në shkolla. FRPD vlerëson se, për shkak të politizimit të skajshëm të drejtorëve dhe shumë mësuesve dhe mbrojtjes së tyre nga partia në pushtet, shkollat janë shndërruar në strehë e bullizmit, abuzimeve, paligjshmërisë dhe papërgjeshmërisë. Zinxhiri përgjegjës, që nga drejtori dhe deri tek policia ka dështuar, sepse ata japin llogari përpara partisë në pushtet, e cila synon fshehjen e fenomeneve të rënda në sistemin arsimor. Drejtuesit arsimorë janë të fokusuar tek tenderat dhe nuk mbajnë asnjë përgjegjësi para qytetarëve për ngjarjet skandaloze që po ndodhin në shkollat tona. Sot, prindërit dhe nxënësit janë të braktisur nga kjo qeveri, e cila, sa herë përballet me llogaridhënien hesht dhe shmanget. Me këtë protestë për dorëheqjen e Ministres së Arsimit të rinjtë demokratë tregojnë solidaritetin me nxënësit dhe studentët për të denoncuar së bashku gjendjen katastrofike të sistemit arsimor.” – thuhet në reagimin e FRPD-së.