Një nga minierat kryesore të diamanteve në botë, me bazë në Rusi, “Alrosa”, ka arritur të nxjerrë nga nëntoka një diamant me peshë 100 karatë, nga galeritë e saj në rajonin verilindor të Yakutia.
Ky është guri i dytë i çmuar më i madh që është gjetur ndonjëherë në këtë minierë.
Diamanti, i cili ka një formë oktaedrike, u gjet në Zapolyarnaya, e cila është pjesë e depozitimit të diamanteve në Verkhne-Munskoye, më 17 shkurt.
Gërmimet dhe gjetja e fundit dëshmon se minierat e diamantit në Yakutia, që janë projekti më i madh i kompanisë “Alrosa”, ka potencial të madh, sipas kompanisë.
“Kjo është gjetja e dytë e madhe që nga nisja e gërmimeve tetorin e kaluar. Kjo na lejon të flasim për potencialin e madh të depozitës Verkhne-Munskoye.” – tha një nga zëdhënësit e kompanisë në një deklaratë për shtyp.
Diamanti i parë i madh me peshë 51.49 karatë, u gërmua në Verkhne-Munskoye vitin e kaluar. Asokohe “Alrosa” u zotua të investonte 60 miliardë rubla (910 milionë dollarë) në këtë projekt deri në vitin 2042.
Rezervat janë të mjaftueshme për të vazhduar operacionet e kompanisë për më shumë se 20 vjet dhe pritet të japë rreth 1.8 milion karate diamanti në vit.