Pas dështimit të një marrëveshjeje mes palëve politike për Reformën Zgjedhore, ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim, do të zhvillojë sot një takim me Presidentin e Republikës Ilir Meta.
Takimi pritet të zhvillohet në orën 11:00 në Presidencë. Ende nuk ka detaje zyrtare, por besohet se në fokus të këtij takimi do të jenë zhvillimet politike, reforma zgjedhore si dhe platforma e Presidentit me 14 pika.
Ky takim vjen vetëm pak ditë pasi presidenti Meta bëri publike një propozim për marrëveshje me 14 pika për zgjidhjen e krizës politike në vend, të cilën tha se ia kishte dorëzuar dhe ambasadores që në datën 8 Prill.
Ambasadorja Kim, së bashku me ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca dhe të tjerë diplomatë të huaj në vend, kanë bërë rolin e negociatorëve mes palëve politike për Reformën Zgjedhore.
Kjo reformë ishte parashikuar të mbyllej me 31 maj, por kjo nuk ndodhi dhe ende vazhdon të ketë mosdakordësi mes pozitës dhe opozitës.