Shefi i Epidemiologjisë së Suedisë, Anders Tegnell ka reaguar kundër raporteve mediatike, sipas të cilave ai është penduar për të mos e vënë vendin në karantinë lidhur me pandeminë Covid-19.
Ai tha se deklaratat e tij janë përshkruar keq nga ana e mediave. Epidemiologu shtetëror i Suedisë tha në një intervistë të fundit se përgjigjja më e mirë ndaj koronavirusit do të ishte ‘diçka midis asaj që ka bërë Suedia dhe asaj që ka bërë pjesa tjetër e botës’.
Suedia është ndër të paktat vende që zgjodhën kundër vendosjes së masave të rrepta dhe shpesh drakoniane për të ndaluar përhapjen e Covid-19. Media të shumta i përshkruan komentet e tij si një kthesë lidhur me politikën e ndjekur, një pretendim që ai e mohon me vendosmëri.
“Kjo intervistë për fat të keq u sajua shumë keq dhe u reklamua shumë gabimisht,” sqaroi ai pas bisedës së tij të shumëpërfolur në Radion Suedeze.
Tegnell theksoi se ka gjëra që Suedia i bëri siç duhet dhe do të ketë gjithashtu masa të marra nga vendet e tjera që do dëshmohen se kanë qenë efektive. Epidemiologu këmbëngul se ende nuk ka përfitime ‘të dukshme’ për mbylljen e bizneseve, restoranteve dhe ambienteve të tjera në përpjekje për t’u mbrojtur nga Covid-19.
“Nuk ka veprimtari që ne mund t’i tregojmë si jashtëzakonisht të rrezikuara,” i tha ai Dagens Nyheter të Suedisë, duke shtuar se ‘strategjia themelore e vendit ka funksionuar mirë’.
Tegnell ka pranuar që Suedia duhet të kishte bërë më shumë për të mbrojtur si duhet azilet e të moshuarve nga virusi – një dështim që ka përbërë një përqindje të madhe të vdekjeve të vendit lidhur me Covid-19.
Megjithatë gabimi nuk është unik për Suedinë. Besohet se 40 përqind e vdekjeve të lidhura me koronavirusin në Shtetet e Bashkuara kanë ndodhur në azile pleqsh. Në Angli, banorët e azileve përbëjnë 57 përqind të të gjitha vdekjeve deri në fund të qershorit.