Vendosni fjalën kyçe....

Meta thirrje për reflektim dhe dialog: Jemi të paralajmëruar nga BE-ja

Në këto momente në Pallatin e Kongreseve, po mbahet mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit.

Presidenti Ilir Meta  gjatë fjalës së tij vlerësoi marrëveshjen për Reformën Zgjedhore të arritur pak ditë më parë, ndërsa kërkon finalizimin dhe zbatimin e saj.

Por Meta kërkon që të adresohen edhe kushtet e tjera dhe bën thirrje për dialog mes palëve.

Presidenti thotë se palët duhet ta nisin duke hequr dorë nga politika e vendosjes para faktit të kryer që minon dialogun dhe bashkëpunimin dhe besimin mes palëve, ndërsa kujton se janë të paralajmëruar nga Bashkimi Europian.

FJALA E METËS

E nderuar zonja Hajdari,

Të nderuar zoti Kryetar i Kuvendit, zoti Kryeministër,

I nderuar Ambasador Soreca, Shkëlqesi Ambasadorë,

Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian,

Në këtë mbledhje të parë që zhvillon Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian pas vendimit të Këshillit Europian të 25 marsit, u përcjell vlerësimet maksimale Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të BE, për përpjekjet e tyre të palodhura në favor të vendimit të shumëpritur politik, të çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Komisioni Europian dhe vendet anëtare meritojnë mirënjohjen tonë më të thellë pasi edhe pse në gjendje të paprecedentë të krijuar për shkak të pandemisë, e ruajtën angazhimin dhe mbështetjen ndaj Shqipërisë, sikundër patën premtuar.

Vendimin e 25 marsit dhe konkluzionet e Samitit virtual të Zagrebit, do të duhet t’i lexojmë me kthjelltësinë dhe pjekurinë e duhur, dhe besoj se edhe ky takim i shërben këtij qëllimi.

Ecja përpara në rrugën europiane kërkon së pari dhe mbi të gjitha një sjellje europiane, ku duhet të mbizotërojë dialogu, bashkëpunimi gjithëpërfshirës, dhe ndërtimi i urave të mirëbesimit ndërmjet institucioneve dhe me qytetarët.

Kjo bindje më ka udhëhequr në të gjithë veprimtarinë time si President i Republikës, me thirrjet dhe iniciativat për përgjegjshmëri, bashkëpunim, dhe përqendrim në agjendën e integrimit europian, si përparësi e të gjitha përparësive.

Zbatimi i vërtetë i kushteve, që kanë ardhur në rritje, dhe i detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duhen marrë më seriozisht.

Vetëm një proces i besueshëm, ku vullneti politik vihet në shërbim të vendit dhe interesave madhore, do të mund të parandalojë krizat e njëpasnjëshme toksike që fatkeqësisht kanë minuar besimin e qytetarëve dhe dëmtuar imazhin e Shqipërisë.

Jemi të gjithë të paralajmëruar nga metodologjia e re e Bashkimit Europian, që thekson se aty ku përparimi nuk është i vërtetë do të ketë ndëshkim, deri në kthim prapa të procesit të integrimit dhe arritjeve të deritanishme.

Kjo do të ishte fatale për ne, veçanërisht duke kujtuar që në nisje të këtij procesi ishim në një korsi me Kroacinë, sot vend anëtar i BE, dhe shumë më përpara Malit të Zi.

Ndaj besoj se jemi ende në kohë për të reflektuar, duke nisur me heqjen dorë nga politika e vendosjes përpara faktit të kryer, e cila e minon dialogun, bashkëpunimin dhe besimin ndërmjet palëve.

Dialog nuk do të thotë vetëm të flasësh por edhe të dëgjosh. Bashkëpunim nuk do të thotë vetëm të marrësh por edhe të ofrosh.

Në këtë kontekst dua të vlerësoj se marrëveshja që u dakordësua në Këshillin Politik për reformën zgjedhore, ishte një hap i rëndësishëm përpara. Çmoj kontributin konstruktiv që luajti në këtë proces veçanërisht Komisioneri Varhelyi, Bundestagu gjerman, partnerë të tjerë europianë, si dhe SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.

Mirëpres që kjo dakordësi të vijojë për të gjitha ndryshimet e nevojshme të reformës zgjedhore dhe të finalizohet me miratimin e shpejtë në Parlament.

Padyshim sfida e vërtetë do të jetë zbatimi besnik i Kodit të ri Zgjedhor, dhe sjellja e secilit aktor për të siguruar një proces zgjedhor me integritet që mbron dhe respekton votën e lirë të qytetarëve.

Inkurajoj gjithashtu që në plan-veprimin e hartuar nga qeveria të reflektohen kontributet e të gjithë anëtarëve të Këshillit, të zbërthehen një për një të gjitha kushtet e vendosura, si dhe të përcaktohen qartë aktorët përgjegjës, termat konkretë e të matshëm të veprimit dhe kostot financiare për çdo zë. 

Konsolidimi e më tej zbatimi i këtij plan-veprimi duhet të vërtetojë se Shqipëria jep rezultate!

Nga ana ime, si President i Republikës, do të vazhdoj përpjekjet e mia të pandërprera në dobi të përparimit të qëndrueshëm dhe të besueshëm të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, si një qëllim mbarëkombëtar i të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Faleminderit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *