Vendosni fjalën kyçe....

OFL gjen 3 shënjestrat e radhës në Vlorë e Fier – Të dënuar për vrasje, drogë e prostitucion


Ditën e sotme Operacioni Forca e Ligjit ka zbritur sot në jug, ku ka vënë në shënjestër tre persona të tjerë të dënuar, dy në Fier dhe një në Vlorë.

Bëhet fjalë për dy persona të dënuar për vrasje dhe një për trafik të lëndëve narkotike.

OFL u ka kërkuar tre shtetasve, Aleksandër Llanaj, Vladimir Çilotaj dhe Shpëtim Çilotaj që të deklarojnë pasurinë duke u lënë afat 48 orë për ta bërë këtë.

Aleksandër Llanaj është personi i cili është dënuar me burgim të përjetshëm, për atë që është quajtur si Masakra e Çoles.

Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në prill të vitit 2015, kur pas një sherri në kazino mbetën të vrarë shtetasit Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.

Ndërsa dy vëllezërit Çilotaj, të akuzuar për prostituimin dhe vrasjen barbare të një vajze 24-vjeçare për shkakun se “nuk fitonte shumë para”.

NJOFTIMI I POLICISË

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

-A. Ll., banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Vrasje kundër dy ose më shumë personave”;

-V. Ç., banues në Fier, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe fabrikim i lëndëve narkotike dhe psikotrope”;

-Sh. Ç., banues në Fier, për të cilin Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”;

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *