Kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat pas takimit me përfaqësuesit e opozitës në parlament tha se nuk u arrit një dakordësi me ta për të marrë votat e nevojshme për të votuar marrëveshjen e arritur për “zgjedhoren” në Këshillin Politik.
Rama tha më tej, se gjatë takimit dëgjoi akuza për tentativa të blerjes së deputetëve të opozitës në parlament, duke theksuar se nuk kërkon të arrijë numrat për të votuar marrëveshjen por do kërkojë një diskutim për të krijuar kushtet e një dakordësie.
“Natyrisht nuk gjetëm dakordësi. Në fakt unë i nënkuptoj përfaqësuesit e opozitës parlamentare, ndjehen të përjashtuar, të fyer, për faktin që pasi janë denigruar dhe janë fyer në mënyrë sistematike nga ta që i kanë sjellë në parlament me firmat e tyre, gjenden përpara nevojës për të respektuar një marrëveshje që e konsiderojnë të padenjë dhe mbi të gjitha detyruese nga jashtë parlamentit, për parlamentin. Megjithatë ajo që mendoj se është e rëndësishme, është që të vazhdojmë të diskutojmë. Më vjen keq që dëgjova në tryezë akuza edhe për tentativa për blerje, apo për influenca jo korrekte mbi deputetët. Akuzat ishin në bllok për ata që janë jashtë, por edhe në adresën tonë, dhe unë ju sigurova që ne nuk do të shkojmë në rrugën e një zgjidhjeje, ku thjesht dhe vetëm do të kërkojmë aritmetikën, por do të shkojmë në rrugën e një diskutimi, për të krijuar kushtet e një dakordësie”- tha Rama.