Presidenti i Burundit ka ndërruar jetë nga koronavirusi, duke u bërë presidenti i parë në detyrë që ka humbur jetë si pasojë e pandemisë që ka përfshirë gjithë botën. Të paktën sipas mjekëve në spitalin ku ishte shtruar.
Por qeveria e vendit më parë e kishte raportuar shkakun e vdekjes së Pierre Nkurunziza, 55 vjeç, si një sulm në zemër.
Daily Mail shkruan se mjekët e spitalit ku ishte shkruar presidenti, kanë konfirmuar se Nkurunziza kishte probleme respiratore para vdekjes.
Mjekët në spitalin universitar “Kamenge” në Bujumbura i thanë AFP-së se kreu i institutit të shëndetit publik kërkoi të vetmin ventilator të spitalit të tyre dhe shefin e shërbimit të reanimacionit ‘në emër të presidencës’ të hënën në orën 10:00 të mëngjesit.
Presidenti u dërgua në spitalin në Karusi, por ishte “shumë vonë”, ai ishte “tashmë i vdekur”.
Dyshimet kishin qenë të larta se presidenti ishte sëmurë me Covid-19 pasi gruaja e tij ishte shtruar në spital në fund të majit, pasi kishte patur probleme me frymëmarrjen.
Vendi afrikan njoftoi vdekjen ‘e papritur’ të Nkurunzizës më 9 qershor duke shpallur një javë zie kombëtare.
Qeveria ende nuk ka njoftuar një datë për varrosjen e tij, por shënon periudhën shtatë ditore të zisë kombëtare, gjatë së cilës ka ndaluar muzikën në bare, klube të natës dhe karaoke.