Shkarkohet nga detyra Blerim Tominaj, prokuror në Prokurorinë e Tiranës.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e mori këtë vendim për shkak të mosjustifiimit të pasurisë së prokurorit.
Në seancën dëgjimore të së premtes, Tominaj nuk mori pjesë vetë por u përfaqësua nga avokati i tij Adriatik Camaj.
Një nga problemet e konstatuara nga KPK, lidhet me përfitimin e një lokali në Durrës. Tominaj ka deklaruar se në vitin 2012, ka përfituar një lokal 179 m2 në Durrës në vlerën 170 mijë euro si trashëgimtar nga testamenti i babait të ndjerë. Sipas Komisionit, Tominaj nuk ka arritur të provojë me dokumentacion ligjor burimin e krijimit të këtij lokali nga prindërit e tij. Po ashtu probleme janë hasur edhe në justifikimin e disa pronave të tjera.
Tominaj ka qenë në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i emëruar nga ish kryeprokurori Adriatik Llalla.
Ai ka shqyrtuar disa dosje të rëndësishme, mes të cilave përmendim edhe hetimet për aksidentin e Sokol Olldashit dhe vrasjet e ndodhura gjatë protestës së 21 Janarit përpara Kryeministrisë.
Ai është një nga 10 prokurorët që refuzoi shortin për dosjen “Shullazi” dhe ndaj tij ka nisur hetim disiplinor nga Prokuroria e Përgjithshme.