Vendosni fjalën kyçe....

“Mish ariu në menu”- Organizata europiane habitet me restorantin në Drilon


Një restorant në Drilon të Pogradecit në Shqipëri ofron mish nga gjuetia e paligjshme e arinjve. Në këtë përfundim arrin një hetim i bërë nga organizata për mbrojtjen e kafshëve “Four Paws”.

Organizata thotë që kjo ishte hera e parë që kishin parë mish ariu të gatuar në Europë, dhe ekspertët paralajmëruan se therja e kafshëve mund të çojë në përhapjen e sëmundjeve zoonotike siç është koronavirusi.

Siç shkruan organizata britanike The independent, restoranti gjithashtu e reklamonte mishin e ariut në menunë e tij në “Facebook”.

Hetimi zbuloi se arinjtë, majmunët dhe zogjtë grabitqarë janë ndër kafshët e gjalla që shiten online në internet, duke ngritur frikë për mbijetesën e disa specieve në vend.

Organizata për mbrojtjen e kafshëve “Four Paws” zbuloi se dy nga faqet kryesore në internet të Shqipërisë po transportonin dhjetëra reklama duke shitur arinj të murrmë dhe specie të tjera që mbrohen me ligj. Këto kafshë mbahen në kafaze derisa u vjen koha që të gatuhen apo të shiten.

Është një biznes fitimprurës: për shembull një majmun i vogël kapuçin u ofrua për 750 € (675 £), dhe një buf hambari, një këlysh ariu dhe një ujk për 500 € secila.

Blerësit janë kryesisht pronarë restorantesh dhe hotelesh, të cilët i mbajnë kafshët për të tërhequr turistë, ose janë individë që i duan si kafshë shtëpiake. Shqiponjat, simboli kombëtar i Shqipërisë, janë veçanërisht të njohura nga blerësit.

Por gjuetia e specieve të mbrojtura, mbajtja e tyre rob dhe shitja e tyre është e ndaluar në Shqipëri. Shkelësit mund të burgosen sipas ligjit, i cili u forcua në tetor, por zbatimi i tij është i dobët.

“Four Paws” tha që pasi ekipi i saj raportoi disa nga reklamat e paligjshme në rrjet, ato ishin fshirë por të reja u rishfaqën.

“Një shumicë e madhe e fotografive shfaqnin një sjellje të ashpër ndaj kafshëve, si për shembull dhelpra të mbyllura në kuti plastike, këlyshë me zinxhirë dhe zogj me këmbët e tyre të lidhura”– tha Barbara van Genne, nga organizata bamirëse.

Majmunët dhe zogjtë shpesh mbahen në bare dhe restorante në Shqipëri si një atraksion turistik, ndërsa dhelprat shiten për leshin e tyre. Ujku blihet për t’u edukuar me qen për këlyshët që të shiten si qen roje, që zakonisht përdoren në male kundër ujqërve, kurse kafshët e tjera vriten ose  balsamosen.

Një zëdhënës për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit natyror në Shqipëri (PPNEA) tha: “Ajo që është veçanërisht alarmante nuk është vetëm fakti që mishi i ariut po shitet, por është edhe shtimi në kllapa ‘në sezon’, që jep përshtypjen se ka një sezon gjuetie për arinjtë.

Në fakt nuk ka sezon të gjuetisë për ndonjë kafshë të egër në Shqipëri, ekziston një moratorium gjuetie dhe ndalimi i gjuetisë për vite me rradhë në të gjithë vendin – kaloi në 2014 dhe u zgjat në 2016-ën deri në mars të 2021-shit.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *