Avokati i Popullit ka publikuar një raport të veçantë të “Monitorimit të Veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi” përgjatë vitit 2019.
Raporti i publikuar, evidenton probleme të konstatuara nga institucioni i Avokatit të Popullit në rolin e tij si vëzhgues i mbledhjeve të KED përgjatë vitit 2019.
“Ndër këto problematika spikasin ato të vërejtura gjatë procedurave të hedhjes së shortit për krijimin e KED, mbledhjet dhe njoftimet për mbledhje të këtij institucioni, pjesëmarrja në mbledhje, procedurat e ndjekura nga KED për verifikimin e plotësimit të kushteve formale për vlerësimin e kandidaturave, vlerësimin e kandidatëve, transparencën e organit të KED-së, respektimin e afateve nga ana e saj, etj, thuhet në njoftimin e institucionit.
Gjatë këtij raporti, Avokati i Popullit i është referuar edhe raportit të Komisionit të Venecias në lidhje me KED.
Raporti përfshin edhe një numër rekomandimesh, që adresojnë problematikat më të mprehta të konstatuara.