Vendosni fjalën kyçe....

Pse japin dorëheqjen drejtorët e kadastrës së Vlorës? 7 drejtorë në një vit


Nga e majta në të djathtë: Florian Alimadhi, Elona Hodaj, Klodian Troci, Loreta Tozaj, Rezart Elmazi

Kadastra e Vlorës rezulton të jetë posti më i nxehtë në qeverinë Rama. Që prej shtatorit 2019 deri ditën që flasim janë ndërruar plot tetë drejtorë, i fundit ditën e sotme.

Në total, Kadastra e Vlorës ka parë 12 drejtorë dhe pret të 13-in.

Gjashtë nga tetë drejtorët e larguar janë dorëhequr ndërsa njëri prej tyre ka qenë i emëruar përkohësisht.

Më jetëgjati në detyrë që nga periudha e dorëheqjeve masive është Klodian Troci, i cili e ka mbajtur postin për rreth 13 muaj (korrik 2018 – shtator 2019), ndërsa më jetëshkurtra është drejtoresha e parafundit, Viola Hima, vetëm 4 ditë (maj 2020 – qershor 2020).

Ndërsa në total drejtori më jetëgjatë është Rezart Elmazi, i cili ka qenë në detyrë që nga tetori 2015 deri në korrik 2017, rreth 1 vit e 10 muaj.

Drejtori i fundit, Jurgen Pilkati qëndroi në detyrë rreth  dy javë (3 qershor 2020 – 19 qershor 2020).

Sipas një hulumtimi të BIRN-it, dorëheqjet e shumta në Kadastrën e Vlorës kanë të bëjnë me një konflikt të fortë për një tokë me vlerë miliona euro në bregdetin e fshatit Jalë. Sipas tij, dorëheqjet lidhen me refuzimin nga zyrtarët e Kadastrës Vlorë për të regjistruar një vendim të Gjykatës së Lartë që pezullonte veprimet e regjistrimit të pronësisë mbi një sipërfaqe toke prej 14,8 hektarësh në bregdetin e fshatit Jalë.

Përplasja – sipas dokumenteve që BIRN ka siguruar – është fokusuar kryesisht mbi pronësinë e 1.6 hektarëve truall, mbi të cilat është ndërtuar klubi i natës Folie Marine dhe dy godina pjesë të së njëjtit kompleks turistik. Mbi të njëjtën pronë, kompanisë Soleil & Sea i është dhënë nga qeveria statusi i “investitorit strategjik”dhe po ndërton aty një fshat turistik të njohur si Soleil Village.

Një prej palëve në konflikt, Kristo Gjoka, nga fshati Vuno, i cili fitoi të drejtat mbi pronën me vendim e shkurtit 2019 të Gjykatës së Apelit Vlorë, akuzon në një kallëzim penal biznesmenin Alban Xhillari dhe të afërm apo të njohur të këtij të fundit se po përdorin ndikimin e tyre në qeveri për t’ua rrëmbyer pronën me dokumente të falsifikuara, nën pretekstin e investimit strategjik.

Biznesmeni Xhillari është kundërpërgjigjur po ashtu me kallëzim penal ndaj Gjokës dhe personave të lidhur me të, që i cilëson “pjesë e një grupi të strukturuar kriminal”.

Pse japin dorëheqjen drejtorët? A ka lidhje kjo dorëheqje me toka të bregdetit?! Çfarë kundërshtojnë të firmosin ata?!

Lista e drejtorëve

  1. Jurgen Pilkati (Ish-këshilltar për Teknologjinë dhe Inovacionin në Ministrinë e Drejtësisë)                                                                           3 qershor 2020 – 19 qershor 2020 (dorëheqje)
  2. Viola Hima (PS, ish-nëndrejtoresha e Kadastrës)       4 ditë në detyrë maj – qershor 2020 (dorëheqje)
  3. Bilbil Aliaj                                                   4 shkurt – 22 maj 2020 (dorëheqje)
  4. Taulant Canameti (PS, Jurist)                nëntor 2019-shkurt 2020 i emëruar përkohesisht
  5. Elona Hodaj (PS, Juriste)                        shtator 2019 – tetor 2019 (dorëheqje)
  6. Alteo Nazëraj (Jurist)                               shtator 2019 – shtator 2019 (dorëheqje)
  7. Florian Alimadhi (PS, Ish-shefi i Zyrës Juridike në Drejtorinë e Kadastrës)                 maj 2019 – shtator 2019 (dorëheqje)
  8. Klodian Troci (PS, Jurist)                     korrik 2018 – shtator 2019 (shkarkuar)
  9. Sokol Banaj (Zv.rektori i Universitetit Ismail Qemali, Vlorë)          janar 2018 – korrik 2018
  10. Rezart Elmazi (PS, Jurist)                    tetor 2015 – korrik 2017
  11. Loreta Alushi Tozaj (PS, Pedagoge e Drejtësisë)    dhjetor 2014 – tetor 2015
  12. Ina Luçi (LSI)                                         tetor 2013-dhjetor 2014

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *