Të hënën Moska dhe Uashingtoni negociojnë në Vjenë për të ardhmen e saj. Marrëveshja “New Start” SHBA-Rusi, skadon në shkurt të vitit të ardhshëm. Po me aq këmbëngulje dhe pa sukses, SHBA kërkon pjesëmarrjen e Kinës në këto bisedime. Ekspertët shohin aty një strategji për të bërë që bisedimet të dështojnë, shkruan agjencia e lajmeve, dpa.
Marrëveshja “New Start” i vë përpara detyrimit si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Rusinë të kufizojnë arsenalin strategjik atomik.
I dërguari i SHBA-së, Marshall Billingslea rriti së fundmi presionin ndaj Pekinit që t’i bashkangjitet negociatave për një marrëveshje pasuese. Ky është një faktor vendimtar për suksesin e bisedimeve, tha Billingslea. Kina e përjashton pjesëmarrjen në negociata, megjithëse arsenali atomik i së cilës rritet në mënyrë të shpejtë, por si fuqi atomike qëndron shumë pas SHBA dhe Rusisë.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Riabkov, që drejton delegacionin për bisedimet në Vjenë ka propozuar që të zgjatet kjo marrëveshje, me qëllim që të fitohet kohë për negociata me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje të re. Teksti i marrëveshjes aktuale të “New Start” u negociua nga paraardhësi i Trumpit, Barack Obama. Ai parashikon që SHBA dhe Rusia të zotërojnë maksimalisht 1550 koka atomike dhe të përgjysmojnë sistemet mbajtëse atomike.