Këshilli i Europës ka reaguar në lidhje me shoqërimin nga policia që iu bë gazetarit Elvis Hila në Lezhë, në datën 17 qershor. Atë ditë ai po raportonte për situatën e prishjeve të ndërtimeve pa leje në zonën e bregdetare të Lezhës.
Këshilli i Europës i kujton shtetit shqiptar se ende nuk ka bërë asnjë reagim për ngjarjen.
“Ende asnjë reagim nga shteti. Rreth orës 17:00, ndërsa po filmonte një mosmarrëveshje midis njërit prej pronarëve të pasurive dhe autoriteteve, Hilës iu afrua shefi i Policisë Lezhë, i cili kërkoi identifikimin e tij. Pavarësisht se deklaroi qartë se ishte gazetar, oficeri mori telefonin nga duart e tij, duke bërtitur: “Çfarë gazetari je?” më pas ai u arrestua. Videot tregojnë se ai u shoqërua nga dy policë dhe u arrestua brenda një automjeti policie, ku u mbajt për 10 minuta. Ai u la i lirë pas protestave nga gazetarë të tjerë në vendngjarje”, thuhet në reagimin e Këshillit të Europës.
Më tej citohet gazetari Hila duke thënë: “Kolegët e mi filmuan gjithë skenën dhe kërkuan arsyetimin e largimit tim, por asnjë shpjegim nuk u dha.”
Sipas Rrjetit SafeJournalists, as Ministria e Brendshme dhe as Policia e Shtetit nuk e komentuan ngjarjen.
Gazetari parashtroi një ankesë dhe tha se ai planifikon të kërkojë rekurs juridik. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Policinë e Shtetit ka filluar një hetim dhe ka marrë dëshminë nga gazetari dhe oficerët e policisë të pranishëm në vendngjarje. Ndërsa Unioni i Gazetarëve Shqiptar dënoi rastet e përsëritura të dhunës.