Zbardhet dëshmia e dy mjekëve, Besim Lama dhe Viktor Marku, të cilët janë arrestuar pasi mjekuan Eduart Lamajn, të dyshuarin për vrasjen e dy biznesmenëve në Laç.
Mjeku që ka kryer operacionin e autorit të dyshuar, Viktor Marku, ka deklaruar se ka qenë i detyruar ta bënte ndërhyrjen kiruegjikale, pasi pacienti rrezikonte të humbiste jetën.
“Më informuan nga klinika që kemi nevojë për operacion. Pacientin e gjeta në narkozë. Isha i detyruar të ndërhyja menjëherë në operacion, pasi ai rrezikonte të humbiste jetën. Për këtë shkak, nëse më vdiste në duar mbaja përgjegjësi penale”, ka thënë mjek, citon Balkanweb.
Ndërsa mjeku tjetër, ka deklaruar se nuk është i specializuar për ndërhyrje, por vetëm ka bërë sugjerimin e klinikës.
“Unë jam endokronolog. Nuk jam i specializuar për ndërhyrje. Më kërkuan ndihmë, ku ta çonin për operacion, u sugjerova klinikën private në Qytet Studenti”- është shprehur ai.
Eduart Lamaj u arrestua mbrëmjen e 22 qershorit, pasi kishte shkuar në një spital privat për të bërë një ndërhyrje pasi një plagë arme i ishte infektuar. Ai ishte paraqitur rreth 20 ditë pas vrasjes së biznesmenëve Bujar Lika dhe Paulin Gjergji.
Pas arrestimit, Lamaj ka deklaruar para uniformave blu se nuk kishte ndërmend të kryente krimin, por kishte shkuar vetëm për t’i shkatërruar hotelin pronarit që i kishte patur një borxh.