Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ndodhet në SHBA në një vizitë zyrtare.
Ditën e sotme Cakaj ka zhvilluar një takim me të caktuarin e posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.
Cakaj ka zbuluar bisedën e kryer me Grenell duke theksuar se nuk ka marrëveshje të fshehtë dhe as plane për ndarjen e Kosovës.
“Sot në Shtëpinë e Bardhë në Uashington patëm një takim të shkëlqyer me Ambasadorin Richard Grenell.
Biseduam për rëndësinë e një marrëveshje të qëndrueshme mes Republikës së Kosovës e Serbisë dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.
Për sqarim: S’KA MARRËVESHJE TË FSHEHTË, AS PLANE PËR NDARJE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, AS SHKËMBIME TERRITORIALE, AS NXITIM PËR NDONJË MARRËVESHJE TË DËMSHME, VEÇ PËRPJEKJE PËR TË NXITUR ZHVILLIMIN EKONOMIK E FORCUAR POPULLIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NDËRKOMBËTARISHT ME MBËSHTETJEN E SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS!
Pavarësisht sfidave, Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen e pakursyer për Republikën e Kosovës!”-shkruan Cakaj.