Një kandidat në Michigan për dhomën e përfaqësuesve, ka marrë një goditje të rëndë nga vajza e tij. Ai thotë se është shumë i zhgënjyer nga vajza, e cila u bëri thirrje votuesve në rrjetet sociale që të votonin për një kandidat tjetër dhe jo për babanë e saj.
Në një prononcim për Fox News, kandidati republikan Robert Regan tha: “Unë u lëndova. Dua të them që unë u lëndova shumë. Një goditje. Kur e pashë për herë të parë, ngela: Oh Zot a e ke seriozisht?”
Vajza e Reganit, Stephanie, shkruante në rrjetet sociale: “Nëse je në Michigan dhe mbi 18-vjeç, pash Zotin mos votoni për babanë tim si përfaqësues të shtetit. Thojini të gjithëve. “
Lidhur me këtë, Regan fajësoi ndikimin që kishte pasur tek e bija kolegji liberal ku ai e kishte çuar.
“Unë mendoj se ka të bëjë me indoktrinimin nga universitetet liberale majtiste, socialiste, marksiste“- tha ai. “Ju duhet të kuptoni se si janë këto kampuse kolegjesh. Këto gra dhe burra të rinj duan të futen në grup, dhe ne e kemi parë këtë për një dekadë, qoftë tek Ben Shapiro, Ann Coulter, Charlie Kirk. Secili nga këta njerëz që mundohet të flasë në kampus, e pëson. E gjithë ideja se ky është një bastion i fjalës së lirë dhe ideve, nuk pi ujë më.”
Regan theksoi se edhe pse fillimisht ishte lënduar nga mosmiratimi i së bijës, ai është krenar që ajo flet dhe i mbron idetë që ka.