Vendosni fjalën kyçe....

Shahini: Jam e zhgënjyer nga rektori, la studentët pa diploma për një konflikt personal


Në konferencën e sotme për mediat, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka fajësuar rektorin Mynyr Koni lidhur me konfliktin me Dekanatin e Fakultetit Ekonomik, që ka lënë pa diploma mbi 300 studentë.

Sipas saj, Koni i ka lënë studentët pa diploma për shkak të një konflikti personal me dekanin Dhori Kule.

“Jam shumë e zhgënjyer me rektorin e Universitetit të Tiranës sepse ka krijuar vazhdimisht probleme të tilla. Studentët po presin firmën e rektorit dhe për një mosmarrëveshje personale me dekanin ai refuzon të firmosë këto diploma. Ne i kemi dërguar një letër të firmosë menjëherë. Më vjen mirë që studentët kishin marrë masa dhe ta ndjekin rrugë ligjore. Studentët na kanë në krah.”- deklaroi Shahini.

Ditën e sotme, studentët u mblodhën përsëri përpara dekanatit për të kërkuar pajisjen me diplomën e ciklit master.

Mbi 315 studentë nuk marrin dot diplomën si pasojë e një mosmarrëveshje mes rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni dhe dekanit të fakultetit, Dhori Kule.

Rektorati pretendon se procesi i dorëzimit të emrave ka qenë i paligjshëm ndaj edhe i ka kthyer diplomat përsëri në fakultet pas 6 muajsh pritje.

Mynyr Koni thotë se për sa kohë që nga ana e dekanit nuk janë përcjellë listat përfundimtare të studentëve të regjistruar, rektorati e ka të pamundur t’i nënshkruajë këto kartona.

Ai ka deklaruar se do t’i firmosë diplomat e studentëve, kur dekani i FE-së, Dhori Kule t’i dërgojë listën përfundimtare.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *