Vendosni fjalën kyçe....

Vdekja e mjekut në Pukë, Meta: Nevojitet urgjentisht një strategji e re, të rriten masat mbrojtëse


Presidenti i vendit Ilir Meta, ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të mjekut të dytë në vend për shkak të koronavirusit.

Ai i shpreh ngushëllimet familjes dhe kolegëve për humbjen e mjekut Hysni Shkjau ndërsa thekson se ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19 dhe të numrit të viktimave, tregojnë se nevojitet urgjentisht një strategji e re.

Presidenti i bën thirrje qeverisë për shtimin e masave mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor që po luftojnë në vijën e parë të frontit, në luftën kundër Covid-19.

“Ndarja nga jeta këtë mëngjes e Dr.Hysni Shkjaut, i cili për 40 vite u shërbeu me përkushtim dhe profesionalizëm qytetarëve të Pukës, është një tjetër humbje e madhe për sistemin tonë shëndetësor.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dr.Shkjaut, kolegëve dhe mbarë komunitetit pukian!
Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19 dhe të numrit të viktimave, tregojnë se nevojitet urgjentisht një strategji e re, më efikase dhe transparente, për përballimin e pasojave të rënda të kësaj pandemie të rrezikshme, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik.
Çdo neglizhencë e mëtejshme është jo vetëm e papranueshme, por edhe me kosto tepër të rënda për shëndetin dhe ekonominë.
Ndaj përsëris thirrjen e fortë për rëndësinë e rritjes së masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke sakrifikuar, deri edhe me jetën e tyre, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari.
Është tepër i domosdoshëm forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore, me qëllim izolimin e përhapjes së mëtejshme të këtyre rasteve dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e të gjitha udhëzimeve të bëra publike.”– shkruan Meta.

Doktor Hysni Shkjau është mjeku i dytë në vendin tonë, që ka humbur jetën si pasojë e pandemisë së Covid-19. Kujtojmë se javën e kaluar, ndërroi jetë mjeku Arjan Pushi, i pari mes mjekëve e infermierëve në Shqipëri që humbi betejën kundër koronavirusit.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *