Vendosni fjalën kyçe....

Dritëhijet e kandidatit për rektor në UT – Profili i Artan Hoxhës


Zgjedhjet për strukturat drejtuese në  Universitetin e Tiranës edhe këtë herë po shkaktojnë polemika të shumta, ndërsa profilet e kandidaturave të shpallura deri më tani në disa raste shoqërohen me dritëhije dhe debat publik ku nuk mbeten pa u përfshirë edhe partitë politike.

Deri më tani emrat që kandidojnë për Rektor në Universitetin e Tiranës janë Artan Hoxha aktualisht dekan i Fakultetit të Drejtësisë, Mimoza Hafizi( nga Shkencat e Natyrës) dhe Kozeta Sevrani (nga Fakulteti Ekonomik).

Emri i Artan Hoxhës nuk është i panjohur, përveç karrierës së gjatë në funksionin e pedagogut, ai ka qenë edhe pjesë e organeve të drejtësisë duke mbajtur poste të rëndësishme. Në organet e drejtësisë ai ka filluar punën si prokuror në Lushnjë dhe e ka mbyllur si Gjyqtar i Gjykatës së Lartë në vitin 2008.

Profili i Artan Hoxhës ka sjellë polemika edhe në politikë pasi nga Partia Demokratike menjëherë me njohjen e tij si kandidaturë për rektoratin e Universitetit të Tiranës ka ardhur reagimi nga selia blu.

Pas shpalljes së datës së zgjedhjeve nga Ministria e Arsimit (30 korrik 2020), PD-ja e konsideroi vendimin antikushtetues që do shërbejë në emërimin pa garë në krye të rektoratit të Artan Hoxhës duke e konsideruar atë “shërbëtor të pushtetit”,

Vendimi antikushtetues i qeverisë së Edi Ramës për të bërë zgjedhjet në universitete më 30 Korrik i shërben vetëm emërimit pa garë në krye të rektoratit të një shërbëtori të pushtetit, si Artan Hoxha, dekanit famëkeq të Fakultetit Juridik”-tha Vokshi në deklaratën e datës 1 korrik.

Ndërkohë vetë Artan Hoxha në disa dalje të tij nuk ka qenë dakord me punën dhe vendimmarrjen e Rektorit në përfundim të mandatit Mynyr Koni.

Ai thotë për Konin se është kthyer kundër strukturës që ka drejtuar ku sipas tij kallëzon pafundësiht personel akademik me qëllim për të drejtuar nëpërmjet frikës dhe presionit.

Ka një fokusim të madh edhe mediatik tek UT, është lënë pas dore që këto zgjedhje nuk janë vetëm në UT. Është vetëm një nga 12 institucionet publike të arsimit të lartë, por me të drejtë tërhiqet vëmendja sepse është institucioni më i rëndësishëm publik i arsimit të lartë në vend, me një traditë, me një emër, me fushat që mbulon, që nxjerr në mënyrë masive, ata që marrin përsipër zhvillimin e vendit dhe ku bëhet më shumë kërkim shkencor por dhe për faktin që është një institucion me problematika në 4 vitet e fundit, duket sikur zgjedhjet po zhvillohen për rektor në UT, por në fakt janë për qindra autoritete dhe organe drejtuese në të gjitha universitetet dhe institucionet publike të arsimit të lartë. Rektori i UT sot është kthyer kundër të gjithë strukturës që ai ka drejtuar duke përdorur mekanizma që nuk i bëjnë nder një akademiku dhe Universitetit të Tiranës. Pafundësisht kallëzon personel akademik, duke i çuar në gjykatë dhe duke u munduar të drejtojë nëpërmjet frikës dhe presionit sepse do ketë një pasojë nëse nuk përputhet vullneti i tij me atë të personelit të tij”, u shpreh Hoxha. 

Por kush është Artan Hoxha?

Prof. Dr. Artan Hoxha ka përfunduar studimet e larta për drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 1983 dhe ato pasuniversitare për Konventat e Këshillit të Evropës në fushën penale në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Leidenit, Hollandë, në vitin 1995. Mban titullin “Profesor” që prej vitit 2015.

Aktualisht, është Dekan i Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, që prej vitit 2016.

Hoxha e ka filluar karrierën e tij profesionale si Prokuror Sektori në Prokurorinë e Rrethit Lushnjë dhe më pas është emëruar Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjatë periudhës 1992 – 1994, ka shërbyer si Specialist në Drejtorinë e Kodifikimit, në Ministrinë e Drejtësisë dhe në vitet 1997 – 1999 si Drejtor i kësaj Drejtorie. Më pas, në periudhën 1999 – 2008 ka qenë Gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Që prej vitit 1997, ai është pedagog i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës dhe që prej vitit 1998 pedagog i lëndës “E drejta procedurale penale” në Fakultetin e Drejtësisë.

Gjatë karrierës së tij profesionale, ka qenë anëtar i disa grupeve të punës dhe komiteteve për zhvillimin e legjislacionit në Shqipëri. Më konkretisht, ka qenë anëtar i grupit të punës për hartimin e Kodit të Procedurës Penale (1992 – 1994), anëtar i Komisionit të Reformave Ligjore dhe Institucionale të ngritur pranë Ministrisë së Drejtësisë (2004 – 2006), Kryetar i Komisionit për Ndihmë Legjislative të Konferencës Gjyqësore Kombëtare (2001 – 2008), Anëtar i Komitetit të Ekspertëve për Operimin e Konventave Evropiane në Fushën Penale (1997 – 2003).

Nga viti 2004, ai është Ekspert i Këshillit të Evropës në fushën penale dhe të pushtetit gjyqësor për trajnime brenda dhe jashtë vendit.

Ai është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që prej muajit dhjetor të vitit 2018.

Kozeta Sevrani është një ndër kandidaturat e tjera e cila do përballet me Artan Hoxhën dhe Mimoza Hafizin.

Edhe pse emri i saj përflitej prej kohësh, Kozeta Sevrani ishte e fundit që iu bashkua garës për rektore.

Ajo është pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë, konsulente në disa kompani si dhe kryetare e Këshillit të Statistikave.

Karriera e Sevranit

Kozeta Sevrani është diplomuar për fizikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në UT, në vitin 1984.

Kozeta Sevrani është pedagoge e Informatikës dhe e Sistemeve të Informacionit të Menaxhimit. Interesat e saj kërkimore përfshijnë: Sistemet e informacionit dhe Siguria e informacionit; e-commerce/e-business, e-learning, e-qeverisje dhe e-shërbime; Integrimi i sistemeve të informacionit, etj.

Që nga viti 2010 është organizatore e konferencës ndërkombëtare vjetore ISTI, bashkëorganizatore e konferencave dhe ëorkshopeve të ndryshme ndërkombëtare, Gjithashtu, bën punën e konsulencës në kompani private si dhe anëtare e bordit në agjenci qeveritare.

Prof. Sevrani është përfshirë në projekte të ndryshme ndërkombëtare si dhe ka prezantuar punën e saj në konferenca të shumta vendase dhe ndërkombëtare. Ajo është në bordin editorial të disa revistave ndërkombëtare dhe puna e saj është botuar në disa revista. Është bashkëautore e një monografie si edhe e katër librave.

Ka disa eksperienca në mësimdhënie në universitete të huaja si në Suedi, Austri, Norvegji, Kosovë, etj.

Në vitin 2017-të, Këshilli i Ministrave e emëroi atë si kryetare të Këshillit të Statistikave, pas kishte shërbyer disa vitesh si anëtare./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *