Ndërkohë që në SHBA vijon fushata për të hequr statujat e figurave historike dhe ish-presidentëve, për shkak se ata kanë qenë skllavo-pronarë, tanimë është hedhur dhe ideja që Barack Obama të vendoset pranë 4 presidentëve në Malin Rushmore.
Në majën e malit mund të shihen katër statujat gjigande të presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga e djathta në të majtë: Abraham Lincoln, Theodore Roosevelt, Thomas Jefferson dhe George Washington.
Kjo ide u hodh nga gazetari Don Lemon, në një bashkëbisedim me Chris Cuomo, i cili përveçse gazetar është dhe vëllai i guvernatorit të New York-ut, Andrew Cuomo.
“Nëse ata do të vendosin dikë në malin Rushmore, duke marrë parasysh historinë e vendit, presidenti i parë me ngjyrë duhet të jetë përpara dhe në qendër”– tha Lemon.
Ai më pas shtoi se edhe emri i Malit Rushmore duhet rikonsideruar.
“Emri nuk duhet të jetë Mali Rushmore nëse pyesni amerikanët vendas. Ata thonë se është tokë e vjedhur”- tha Lemon, citon Washington Times.“Ishte Mali Rushmore vetëm 40 vjet para se të fillonin të gdhendnin fytyrat e presidentëve në të. Askush nuk mori para për këtë ”.
Cuomo sigurisht e mbështeti këtë ide, duke thënë: “Është një ide më e spikatur sesa ideja për të hequr Etërit Themelues.”
Sa ka gjetur mbështetje në rrjet, po aq edhe është kritikuar ky propozim me njerëz që theksojnë se ish-presidentët në Malin Rushmore janë vendosur jo për nga ngjyra e lëkurës, por për arritjet e tyre.
Fushata e lëvizjes “Black Live Matters” në shumë shtete amerikane kërkon të heqë statujat e figurave të Konfederatës dhe të Etërve Themelues. Në muajin qershor, protestuesit në Portland, rrëzuan një statujë të ish-presidentit , Xhorxh Washington. E të martën, Këshilli Bashkiak i qytetit të Jackson në Mississipi, votoi për të zhvendosur statujën e ish-Presidentit Andrew Jackson, nga ka marrë dhe emrin.
Duhet patur parasysh se Etërit Themelues nga Washington, Jefferson te Madison dhe shumë figura të rëndësishme të konfederatës – të gjithë ishin skllavo-pronarë, por statujat e tyre nuk janë vënë për të përkujtuar skllavërinë, por për arsye të ndryshme.