Derbi Tirana – Partizani sot do të zhvillohet pa tifozeri. Ky vendim ka ardhur pasi 5 lojtarë të Partizanit u konfirmuan me Covid, të cilët sigurisht janë në karantinë.
Duke marrë shkas nga rritja e numrit të rasteve të sëmundjes infektive, tifozët nuk do të lejohen të qëndrojnë as afër stadiumit, ndërsa do të ketë kontrolle dhe masa të rrepta edhe në lokalet ku do ndiqet ndeshja, për të parë nëse do respektohen rregullat e vendosur për koronavirusin apo jo.
“Nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë janë marrë një sërë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por dhe moslejimin e grumbullimit të tifozëve, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID -19.
Në kuadër të këtyre masave të parashikuara, informojmë qytetarët e Tiranës se Policia do të monitorojë dhe do të mbajë nën kontroll protokollin e sigurisë anticovid në lokalet dhe ambientet ku do ketë prani të tifozëve që do të ndjekin ndeshjen.
Policia e Tiranës apelon edhe njëherë për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.”– thuhet në një njoftim të policisë.
Kujtojmë se dy ditë më parë rezultuan pozitivë dy futbollistët e Partizanit Dejan Boldor dhe Besnik Ferati, çka vuri në pikëpyetje zhvillimin e ndeshjes.
Pas dy rasteve të para pozitive Instituti i Shëndetit Publik kreu 50 tamponë tek ekipi i KF Partizanit dhe 3 të tjerë rezultuan pozitivë. Ata janë: Esat Mala, Kristi Kote dhe Erald Çinari.
Fatmirësisht nuk pati të infektuar nga stafi dhe as nga sektorët e tjerë, duke lejuar zhvillimin e derbit.