Vendosni fjalën kyçe....

Nis i heshtur votimi në Maqedoninë e Veriut, a do jenë bashkë partitë e shqiptarëve?!


Nga sot deri më 15 korrik zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut. E këto zgjedhje e kjo fushatë zgjedhore ka qenë si asnjë tjetër për shkak të pandemisë së koronavirusit.

15 parti politike janë duke luftuar për 120 vendet në Parlament. Këto janë zgjedhjet e pesta të parakohshme parlamentare që nga pavarësia e vendit.

Fushata si asnjë tjetër

Kjo fushatë ka qenë si asnjë tjetër. Filloi më 24 qershor dhe zgjati deri më 12 korrik dhe u zhvillua pa tubime masive si vitet e shkuara.

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19, fushata zgjedhore kryesisht është mbajtur online dhe tubimet në kuadër të fushatës së drejtuar nga partitë politike janë mbajtur në hapësira të hapura, me një numër të kufizuar të pjesëmarrësve, me respektimin e distancës dhe me maska. Fjalimet e politikanëve janë transmetuar live përmes rrjeteve-sociale, e nëpër rrugë shumë pak postera mund të shikosh.

Pamje nga Shkupi, 13 korrik 2020

Pamje nga Shkupi, 13 korrik 2020

Pamje nga Shkupi, 13 korrik 2020

Zgjedhjet 3-ditore

Për shkak të gjendjes së shkaktuar nga pandemia COVID-19, zgjedhjet do të zhvillohen me rregulla dhe protokolle të veçanta. E për shkak të këtyre rregullave këto zgjedhje do të zgjasin tri ditë e jo një ditë si më parë. Datat janë 13, 14, dhe 15 korrik.

Kështu, personat e sëmurë dhe të dobët fizikisht do të votojnë në datat 13 dhe 14 korrik në shtëpi apo në spitale, përfshirë personat e prekur nga COVID-19, si të gjithë ata qytetarë që janë në izolim për shkak të pandemisë.

Ndërsa më 15 korrik, gjithë të tjerët.  Procesi zgjedhor ka filluar në orën 7 të mëngjesit dhe do të përfundojë në orën 9 të mbrëmjes, duke respektuar protokollet për mbrojtjen nga COVID-19. Kujtojmë se në zgjedhjet e kaluara kutitë e votimit janë mbyllur në ora 19:00, pork jo zgjatje është bërë për shkak të pandemisë.

Askush nuk do të lejohet të votojë nëse nuk mban maskë mbrojtëse në fytyrë.

Partitë shqiptare në zgjedhje

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partia më e madhe shqiptare në vend dhe partner i deritanishëm në qeveri me LSDM-në, ka propozuar që për herë të parë një shqiptar të zgjidhet kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

BDI ka prezantuar Naser Ziberin si kandidati i parë shqiptar për kryeministër në Maqedoninë e Veriut.

“Thash po sepse besoj në idenë e kryeministrit të parë shqiptar dhe gjithashtu jam i bindur se këtë detyrë do ta kthejmë në një shërbim për të gjithë qytetarët, në rend të parë ata shqiptarë, por edhe komunitetet tjera, pa dallim kombi, feje, përkatësie politike apo sociale”, tha Ziberi gjatë një tubimi në Prespë.

Ka shumë pikëpyetje në partitë shqiptare do jenë sëbashku, pra BDI do bëjë koalicion paszgjedhor me aleatët e vjetër të LSDM-së apo do i bashkohet Aleancës dhe Alternativës. Por gjasat janë të pakta.

Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës dhe Alternativa e Afrim Gashit garojnë sëbashku nën moton “Tash është koha”. Sela ka deklaruar se nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni pas zgjedhjeve me LSDM-në ose me VMRO-DPMNE-në, por vetëm nëse pranojnë programin e koalicionit të Aleancës dhe Alternativës.

Partia qeverisëse, LSDM e Zoran Zaevit, garon me moton “Mundemi” duke theksuar anëtarësimin e vendit në NATO si arritjen e saj, krahas stabilizimit të ekonomisë. Në këto zgjedhje për herë të parë u krijua një koalicion parazgjedhor midis një partie maqedonase dhe një partie nga blloku shqiptar. LSDM dhe Lëvizja Besa garojnë së bashku.

Ndërsa partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE, me moton “Rimëkëmbja” premton një standard më të mire jetese, paga më të larta, pensione, subvencione për fermerët dhe shumë projekte infrastrukturore.  Kandidati i saj për kryeministër është sekretari i përgjithshëm të partisë, Emill Dimitriev./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *