Nga Xhelal Neziri
Anëtari më i ri i NATO-s, Maqedonia e Veriut, më 15 korrik do të organizojë zgjedhjet, e dhjeta me radhë, parlamentare nga pavarësimi i saj në vitin 1991, kur u shkëput nga ish-federata Jugosllave. Ky vend me 2.1 milionë banorë, është ballafaquar me kriza të vazhdueshme politike dhe ndëretnike, të cilat kanë bërë që pesë ciklet e fundit zgjedhore parlamentare të jenë të parakohshme. Të fundit u mbajtën në vitin 2016 dhe ishin rezultat i epilogut të një krize të rrezikshme politike dhe të sigurisë, ku VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski kishte kapur shtetin duke instaluar një regjim autokratik. Këto zgjedhje sollën në pushtet LSDM-në e Zoran Zaev, e cila një vit më pas nënshkroi Marrëveshjen e Prespës, një dokument që zgjodhi kontestin e emrit me Greqinë dhe hapi dyert e integrimit euroatlantik të vendit.
Suksesi i Zaevit në politikën e jashtme, megjithatë, u vu nën hije nga aferat korruptive të tij dhe funksionarëve tjerë të LSDM-së. Edhe pse në planin e brendshëm ka një përmirësim funksionimin demokratik të institucioneve, pakënaqësia ndaj tij ka shënuar rritje, sidomos pas publikimit të aferave të fundit me materiale të përgjuara. Ndërkohë, VMRO-DPMNE kaloi nëpërmjet një reformimi të brendshëm duke sjellë figura të reja në krye të saj, përfshirë këtu edhe liderin Hristijan Miçkovski. Andaj, nëse në 2016 LSDM-ja përfaqësonte progresin kurse VMRO-DPMNE regresin, tani se kjo ndarje nuk tingëllon aq besueshëm. Anketat, madje, parashikojnë një rezultat të ngushtë apo të barabartë midis këtyre dy partive, me ç’rast çdonjëra prej tyre do të fitonte nga 50 deputetë.
Shqiptarët – përcaktues të mandatarit
Te blloku politik shqiptar dy parti dhe dy koalicione parazgjedhore synojnë të fitojnë mandate deputetësh, të cilët pritet të përcaktojnë qeverinë e ardhshme të vendit. Në zgjedhjet e fundit VMRO-DPMNE fitoi 51 deputetë, dy më shumë se LSDM, por kjo e fundit formoi qeverinë pasi Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i Ali Ahmetit refuzoi ofertën e Gruevskit që të vazhdojnë bashkëpunimin në pushtet, i nisur nga viti 2008. BDI, e cila ka qenë në pushtet afër 17 vite në dy dekadat e fundit, dhe Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit, një parti e drejtuar deri në vitin 2012 nga Arben Xhaferi, garojnë të vetme në këto zgjedhje. Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, e cila në tre vitet e fundit ka qenë në opozitë, ka lidhur koalicion me partinë Alternativa të Afrim Gashit, që ka ndarë pushtetin me LSDM, BDI dhe PDSH. Edhe koalicioni i dytë LSDM/BESA është i panatyrshëm, jo vetëm se është formuar nga një parti në pushtet dhe një në opozitë, por se është koalicioni i parë shumetnik në zgjedhje parlamentare. Te pjesa shqiptare anketat favorizojnë BDI-në se do të fitojë nga 11-13 deputetë, para koalicionit ASH/Alternativa me 7-9, kurse koalicioni LSDM/BESA pritet të fitojë 5-7 deputetë shqiptarë.
Në një situatë kur ka një baraspeshim forcash te kampi politik maqedonas, do të jetë partia fituese te shqiptarët ajo që edhe kësaj radhe do të përcaktojë se kush do ta formojë qeverinë e ardhshme. Duke u mbështetur në rezultatet e anketave dhe analizave të brendshme, partia e Ahmetit është e bindur se sërish do të ketë pozitën e “king-maker”-it në Maqedoninë e Veriut. Kjo parti ka mbajtur pushtetin që nga viti 2002, kur u formua si subjekt i dalë nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK), një formacion gueril që në vitin 2001 nisi konfliktin për një status të barabartë të shqiptarëve në shtet. Së këndejmi, e njeh mirë sistemin zgjedhor proporcional me gjashtë njësi, që nxjerrin nga 20 deputetë secila, dhe gjeografinë zgjedhore shqiptare në këtë vend. Në këto zgjedhje BDI ka ngritur çmimin e saj – kërkon pozitën e kryeministrit nëse ndonjë nga partitë etnike maqedonase do të kërkojë që të formojnë shumicën parlamentare. Për këtë qëllim, Ahmeti ka dalë me Naser Zyberin si kandidat për kryeministër, gjë që ka ngjallur reagime te partitë tjera pasi mundësia që BDI të fitojë shumicën e 120 mandateve në Parlament janë vetëm teorike. Përderisa Zaev dhe Mickovski kërkojnë shumicën parlamentare në zgjedhje, Ahmeti shpreson se Zyberi do ta ketë këtë shumicë si rezultat i matematikave dhe marrëveshjeve paszgjedhore.
Befasitë zgjedhore
Megjithatë, anketat jo gjithmonë parashikojnë rezultatet. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 matjet e opinionit publik parashikuan një rezultat të barabartë midis LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, por e para fitoi gati të gjitha komunat urbane dhe rurale me shumicë etnike maqedonase. Një huqje e njëjtë u pa edhe në zgjedhjet parlamentare të këtij muaji në Kroaci, ku anketat parashikuan rezultat të njëjtë midis partisë së djathtë HDZ dhe asaj të majtë SPD, por rezultati ishte 66-41 deputetë në favor të së parës.
Befasitë janë të mundshme edhe në këto zgjedhje në Maqedoninë e Veriut. Duket se ka një mospërputhje midis vullnetit të qytetarëve të shprehur në anketa dhe rezultatit zgjedhor pasi votuesi gjithnjë e më shumë udhëhiqet nga interesi i tij praktik. Ky interes nënkupton klientelizmin, punësimin partiak apo kryerjen e shërbimeve nga pushteti lokal në shkëmbim të votave. Nga gjithsej 84 komuna, BDI drejton 10, ASH/Alternativa 3 kurse BESA 1. Dy qytetet që japin më shumë deputetë shqiptarë në Zonën e Gjashtë Zgjedhore janë Tetova dhe Gostivari. I pari udhëhiqet nga Teuta Arifi e BDI-së, kurse i dyti nga Arben Taravari i ASH-së. Kjo zonë tradicionalisht nxjerr 14 deputetë shqiptarë nga gjithsej 20, gjë që e bën fushëbetejën kryesore të partive shqiptare. BDI duket se do të ketë epërsi me së paku një deputet në këtë zonë shkaku i pozicionimit të dobët të ASH/Alternativës në Tetovë. Në Tetovë, përveç BDI-së, të pozicionuar mirë duken edhe PDSH dhe BESA.
Në Zonën e Parë Zgjedhore, që ka si qendër Shkupin, shqiptarët fitojnë dy deputetë. Në bazë të anketave, një deputet do të fitojë BDI dhe një ASH/Alternativa. PDSH ka ambicie që të nxjerrë një deputet, gjë që mund të çojnë numrin në tre. Në Zonën e Dytë Zgjedhore me qendër Kumanovën partitë shqiptare fitojnë 4 deputetë, kurse në Zonën e Pestë – dy. Në zonat tre dhe katër të gjithë mandatet i fitojnë partitë maqedonase LSDM dhe VMRO shkaku i numrit të vogël të votuesve shqiptarë aty.
Nuk përjashtohen as marrëveshjet e pashpallura midis partive rivale shqiptare, që mund të nxjerrin një deputet më shumë shqiptarë në zonën zgjedhore një dhe pesë. Këto nuk janë praktika të panjohura për skenën politike të Maqedonisë së Veriut, ku sistemi zgjedhor dhe formula e D’Hontit favorizon koalicione në kurriz të partive më të vogla. Sa për ilustrim, partia Demokracia e Re e Imer Selmanit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011 fitoi 30 mijë vota, por nuk arriti të marrë asnjë deputet pasi i kishte të shpërndara në 5 njësi të ndryshme zgjedhore. Ndërkohë, mesatarisht një deputet mesatarisht zgjidhet me 7-8 mijë vota.
Uvertyrë e një krize të re?
Pa dyshim, këto zgjedhje llogariten si më të paparashikueshme në historinë elektorale të Maqedonisë së Veriut. Nëse LSDM nuk do të arrijë të fitojë më shumë deputetë se VMRO-DPMNE, atëherë do ta ketë rëndë që sërish ta bindë faktorin shqiptar që t’i ndihmojnë ta formojë qeverinë njëjtë si në vitin 2016. Edhe në skenarin e kundërt, ajo do ta ketë rëndë ta bindë BDI-në pa i dhënë postin e kryeministrit, nëse deputetët e saj sërish do të jenë përcaktues. Përplasja e ashpër midis Ahmetit dhe Zaevit gjatë fushatës dhe partneriteti jo i qëndrueshëm gjatë qeverisjes së fundit i ka zvogëluar gjasat që të dy të vazhdojnë bashkëpunimin. Nuk përjashtohet mundësia që vendi të futet në një krizë të re politike shkaku i pamundësisë së krijimit të qeverisë dhe institucioneve të shtetit, të cilat burojnë nga zgjedhjet. Dalje nga kjo krizë mund të jetë ose një qeveri gjithëpërfshirëse, ose zgjedhje të reja parlamentare, sërish të parakohshme.
VINI RE: Analiza është shkruar nga autori posaçërisht për Hashtag.al