Ka përfunduar intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale në Hagë.
Kjo është dita e dytë me radhë që presidenti është duke u intervistuar në intervale të njëjta.
Korrespondenti i KOHË-s, Augustin Palokaj ka konfirmuar se Thaçi ka dalë nga Dhomat e Specializuara pa dhënë ndonjë deklaratë.
Ai ka thënë se intervistimi do të vazhdojë nesër në orën 13:00.
“Për dallim nga dita e djeshme kur foli edhe para hyrjes, edhe pas daljes nga intervista, mund të supozojmë se kanë qenë çështjet që kanë qenë dje por edhe ato që lidhen me UÇK-në. Është e qartë se bisedimet dhe intervistat kanë edhe një përmbajtje që momentalisht nuk mund të dimë shumë. Kjo ende nuk është procedurë gjyqësore, por është procedurë interne e prokurorisë prandaj nuk ka nevojë që të ketë ndonjë avokat mbrojtës të akredituar, por mund të ketë këshilltar ligjor”, ka thënë Palokaj.