Opozita parlamentare ka braktisur mbledhjen online të Komisionit Hetimor të ngritur për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, pas ndryshimit të qëndrimit të socialistëve.
Sipas raportit të Partisë Socialiste në komisionin hetimor, shkeljet nuk janë të mjaftueshme për të shkarkuar Presidentin.
“Këto shkelje referuar rrethanave dhe pasojave dhe fakti që komisioni nuk mund të shprehet se janë ekskluzivitet i gjykatave, janë shkelje që kanë natyrë që diktojnë marrjen e masave të menjëhershme për plotësimin e aktit kushtetueses për evitimin e situatave bllokuese, por nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar shkarkimin e Presidentit.”- tha deputetja Klotilda Bushka.
Por ky qëndrim i socialistëve ka hasur në kundërshti nga pala e opozitës parlamentare.
Deputeti i opozitës së re, Halit Valteri, njëherësh anëtar i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta, akuzoi maxhorancën se me këtë qëndrim ka zhgënjyer elektoratin e saj.
Sipas Valterit, shumica duhet të mbajë përgjegjësi për këtë dështim të Komisionit Hetimor që vazhdon punën prej 12 muajsh.
“Anëtarët e maxhorancës e akuzuan një vit më parë Presidentin si puçist, ndërkohë që shkeli kushtetutën e vendit. Ju thatë që Presidenti s’duhet të qëndrojë në detyrë asnjë ditë të vetme. I premtuat mbështetësve tuaj që Presidenti do ishte shembull dhe do shkarkohej.
Për ju ç’dekretimi i 30 qershorit, ishte atentat ndaj drejtësisë. 26 qershor 2019, është ngritur ky komision hetimor, janë zhvilluar 10-tra mbledhje, dëshmi dhe prova dhe këtu në këtë komision. Sot një vit më vonë është si të kthehet në pikën zero. Nuk flitet më për shkarkim të Presidentit, për shkak se u treguat të paaftë për të shkarkuar Presidentin për 30 qershorin, ju e çuar në çështjen e emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ky Komision ka dal jashtë objektit të tij, ky komision përcaktoi qartë se Presidenti tejkaloi kompetencat”, tha Valteri.
Pas diskutimeve u vendos që opozita dhe maxhoranca të paraqesin dy qëndrime të ndryshme në Parlament lidhur me Metën dhe deputetët e opozitës parlamentare vendosën të braktisin mbledhjen online në formë proteste.
Arlind Çarcani: Ftoj koleget e opozitës të largohen nga mbledhja, mos bëhemi pjesë e lojës suaj me presidentin
Alban Zeneli: Jam dakord, në formë proteste largohemi nga ky komision
Halit Valteri: Meqë Tikun e kemi pro presidentit, vazhdoni jepini drejtim. Te ikim, vazhdoni i jepini drejtim