Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i PD-së: Drejtori i Transportit Rrugor ka marrë 220 milionë lekë tendera, me kompaninë e tij private të transporteve


Zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, ka akuzuar drejtorin e Përgjithshëm të Transportit Rrugor Blendi Gonxhe, se ka një kompani private dhe merr tendera pikërisht për Transportin Rrugor.

 Zhupa thotë se kompaninë, Gonxhe e ka në emër të gruas së tij. Sipas saj, Blendi Gonxhe përmes kësaj kompania ka marrë rreth 220 milionë lekë tendera, në konflikt të hapur interesi.

“Përshëndetje! Ndodhem tek Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, e cila drejtohet nga Blendi Gonxhe.

Shumë shpesh, media e ka cilësuar mikun e kryeministrit në ikje si një nga drejtorët më të korruptuar të administratës.

Media ka bërë të njohur të dhëna për sistemin e ryshfeteve që Blendi Gonxhe ka perfeksionuar për t’u zhvatur para qytetarëve që marrin një patentë.

Ata që kanë ardhur të paktën 1 herë tek zyrat e patentave, e njohin shumë mirë këtë sistem korrupsioni. Por Blendi Gonxhe nuk kënaqet vetëm me zhvatjen direkt të qytetarëve.

Blendi Gonxhe përfiton miliona lekë nga buxheti i shtetit përmes një kompanie private, të vendosur në emër të bashkëshortes. 

Drejtori i Përgjithshëm i Transportit Rrugor ka në pronësi një kompani private për transport udhëtarësh, të cilën e përdor për t’u dhënë makina me qera kolegëve të tij në institucione të tjera shtetërore. Janë rreth 220 milionë lekë që Blendi Gonxhe ka përfituar me këtë biznes në konflikt të hapur interesi.

Nëse do të këtë një hetim nga Inspektorati i Kontrollit të Pasurive, do të gjejë se institucione qendrore, të drejtuar  nga miq të Blendi Gonxhes, kanë paguar miliona lekë për kompaninë e tij, ndërkohë që ky vetë është në këtë pozicion kyç të sektorit të Transporteve.

Ministria e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit, Parlamenti, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, por veçanërisht Agjencia e Planifikimit të Territorit, paguajnë me miliona lekë kompaninë private të Blendi Gonxhes së Drejtorisë së Transporteve për të siguruar makina me qera apo shërbime të tjera transporti.

Janë miliona lekë për transport privat që paguhen nga taksat e qytetarëve direkt e në xhepin e mikut të kryeministrit që drejton Transportin Rrugor të  Shqipërisë. Ky është një aktivitet në konflikt të hapur interesi.”- tha Zhupa.

Zëdhënësja e PD-së thotë se Gonxhe duhet të japë dorëheqjen dhe se Prokuroria ka për detyrë të nisë sa më parë hetimet.

“Është shkelje e ligjit, që tregon sesa të babëzitur janë këta që na drejtojnë. Blendi Gonxhe, që përdor miqësinë me Edi Ramën për të zhvatur çdo qindarkë nga taksat dhe nga xhepat e shqiptarëve në çdo formë dhe mënyrë, është funksionari tipik i korruptuar i qeverisë në ikje.

Blendi Gonxhe sot duhet të japë dorëheqjen. Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet për këtë aferë që lidhet drejtpërdrejt me drejtorin e Transportit Rrugor, por prokuroria duhet të hetojë edhe skemën vjedhjes përmes sistemit të patentave.”– thotë Zhupa./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *