Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Shëndetësisë miraton lejimin e testimeve serologjike për Covid-19 edhe në strukturat private


Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka miratuar protokollin që testet serologjike për koronavirusin të zhvillohen edhe në strukturat private.

Testet që do zhvillohen duhet të jenë paraprakisht të validuara Instituti i Shëndetit Publik dhe Agjencia Kombëtare e Barnave.

Sipas Ministrisë laboratorët privatë duhet që të plotësojnë standardet.

Testet serologjike zhvillohen për të parë nëse një person ka kaluar Covid-19 apo jo.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Shëndetësisë njofton se bazuar në strategjinë e kontrollit të epidemisë në vend, e cila parashikon përfshirjen edhe të institucioneve jopublike, në funksion të rritjes së kapaciteteve për përballimin e situatës, Komiteti Teknik i Ekspertëve, ka miratuar Protokollin për fillimin testimeve serologjike edhe në strukturat jopublike. Testet duhet të jenë të validuara paraprakisht nga IShP.

Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjensia Kombetare e Barnave dhe Paisijeve Mjekësore do të lejohen të përdoren në laboratorë të liçensuar jo publikë dhe të njohur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si laboratorë që plotësojnë standardet për kryerjen e testit serologjik, për praninë e antitrupave të krijuar nga Sars-Cov2.

Ndërkohë, ne do të vazhdojmë me kryerjen e testeve serologjike në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT. Po kështu, është planifikuar fillimi i kryerjes së testimit serologjike në një kampion të popullatës, për qëllime studimore nga Instituti i Shëndetit Publik.

Të vetëdijshëm se cilësia dhe siguria e testimit janë thelbësore në strategjinë e kontrollit të epidemisë në vend, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të vazhdojë të ketë në fokus të punës së vet, zbatimin rigoroz të kushteve të sigurisë dhe garantimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.

Sqarim për qytetarët, mbi TESTIMIN PËR KUNDËRTRUPA:

1. Testimi për kundërtrupa tregon nëse e ke kaluar apo jo infeksionin nga SARS-CoV-2 në të shkuarën, por ky test nuk tregon dhe nuk duhet përdorur për të evidentuar infeksionin aktual. Do të duhen të kalojnë 1-3 javë pas infeksionit, që trupi të prodhojë kundërtrupat. Këto rezultate janë të rëndësishme për të informuar mbi personat që mund të kualifikohen si dhurues të gjakut, i cili mund të përdoret për të përgatitur plazmën konvaleshente, një produkt i cili po shihet për t’u përdorur tek personat që janë shumë të sëmurë me COVID-19.

2. Sido që të jetë rezultati i testimit, pozitiv apo negativ, përsëri duhet të merren masa mbrojtëse për veten dhe të tjerët.

3. Vetëm testet serologjike të aprovuara nga Agjensia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të lejohen të përdoren dhe të vlerësohen.

4. Këto teste mund të përdoren në laboratorë publikë dhe privatë. Po ashtu, këto teste përdoren në studimet e Seroprevalencës, ku ISHP vlerëson numrin total të njerëzve që janë infektuar, përfshirë këtu edhe ato infeksione që nuk janë identifikuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *