Pas rinisjes së tryezës së Këshillit Politik, kryeministri Rama ka thënë se nuk do i ndalojë koalicionet por do i grupojë ato në një të vetëm.
Ai tha se propozimi i tij për hapjen e listave nuk i ndalon koalicionet partiake. Rama pohoi gjithashtu se shumica nuk do ndryshojë as sistemin e as zonat zgjedhore. Ai theksoi se PS-ja i qëndron marrëveshjes së 5 qershorit.
Më herët, numri dy i PD-së, Bardhi, i kishte hedhur poshtë më forcë propozimet e Ramës për të ndërhyrë në marrëveshjen e 5 qershorit për të pasqyruar kërkesat e opozitës parlamentare.
“Ne nuk ndryshojmë as sistem, as zona zgjedhore. E vetmja gjë është që po hapim listat. Edhe për hapjen e listave, hajdeni ulemi nëse keni ndonjë mendim se si të garantojmë kuotën gjinore sa më mirë. Por në një koalicion siç i bën gjithë Europa dhe jo si modeli ynë i deritanishëm që se ka askush. Nuk ndalojmë koalicionet, por formë grupimi që të mundësojë hapjen e listave dhe të mos ndërlikojë administrimin. Ne i qëndrojmë marrëveshjes. Marrëveshja duhet miratuar, për t’u miratuar duhen votat në kuvend që ne si mazhorancë nuk i kemi. Në bisedimet me opozitën parlamentare kemi dakordësuar për hapjen e listave.” – ka thënë ndër të tjera Rama.