Udhëheqësit e BE-së kanë arritur më në fund në një marrëveshje për rimëkëmbjen ekonomike, pas natës së katërt të bisedimeve.
Me këtë paketë, blloku prej 27 shtetesh ofron 750 miliardë euro në grante dhe kredi për të kundërshtuar ndikimin ekonomik të pandemisë.
Kryetari i Samitit Charles Michel tha që ky ishte një “moment i rëndësishëm” për Europën, citon BBC. Po ashtu edhe presidenti francez Emmanuel Macron tha të njëjtën gjë.
Ndërsa presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen shkroi: “Sot kemi ndërmarrë një hap historik, të gjithë mund të jemi krenarë. Por mbeten hapa të tjerë të rëndësishëm. E para dhe më e rëndësishmja: të fitojmë mbështetjen e Parlamentit Europian. Askush nuk duhet ta marrë si të mirëqenë Bashkimin tonë Europian. Është përgjegjësia jonë e përbashkët për ta ofruar.”
Bisedimet që filluan të premten panë një ndarje midis kombeve më të goditura nga shpërthimi i koronavirusit dhe anëtarëve “të kursyer” që shqetësoheshin për kostot. Por më pas u konkludua në një marrëveshje e cila përqendrohet në një program prej 390 miliardë dollarësh vetëm për shtetet anëtare të goditura më rëndë nga pandemia. Samiti, i cili filloi në Bruksel të premten në mëngjes, pati më shumë se 90 orë bisedime dhe u bë samiti më i gjati i BE-së që nga ai i vitit 2000 në qytetin francez të Nicës, i cili zgjati pesë ditë.
Komisioni Europian do të jetë përgjegjës për shpërndarjen e fondeve, dhe 27 vendet anëtare do të jenë në gjendje të hedhin poshtë një plan shpenzimesh nëse kundërshtohen nga një shumicë e ponderuar.