Policia e Shtetit ka hapur thirrjet për pranim në strukturat e saj për studentë ekselentë për disa degë specifike.
Studentët që kanë mbaruar me mesatare mbi 8 ciklin e dytë të studimeve universitare në një nga degët e fakultetit të drejtësisë, ekonomisë dhe kompjuterike.
Aplikimet bëhen pranë Drejtorisë Vendore të Policisë ku kandidati ka vendbanimin e përhershëm dhe përfundojnë më datë 20 gusht 2020. Dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.
Kriteret e përgjithshme për pranimin e këtyre kandidatëve në Akademinë e Sigurisë:
– të jenë shtetas shqiptarë;
– të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil;
– të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
– të mos kenë shenja të dukshme (tatuazh) në pjesët që nuk mbulohen nga uniforma verore e Policisë;
– të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht për të kryer detyrën;
– të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundërvajtjeje penale me dashje;
– të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie;
– të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
Ndërsa kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë aplikantët për t’u pranuar në këtë cikël janë:
– të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë):
– të jenë nën moshën 30 vjeç;
– të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi “8”;
– të jenë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;
– të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT.
Aplikantët duhet të paraqesin pranë strukturave të burimeve njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë, dokumentacionin e mëposhtëm:
– Formularin e aplikimit;
– Diplomën dhe listën e notave të noterizuar të ciklit të parë dhe të dytë të studimit (të dy nivelet e diplomave të jenë të të njëjtës fushë studimi, në programe studimi të akredituara). Aplikantët që kanë përfunduar arsimin e lartë jashtë vendit, duhet të paraqesin vërtetimin nga Ministria e Arsimit Sportit e Rinisë, për njëvlershmërinë e diplomave të marra jashtë vendit;
– Fotokopje të kartës së identitetit;
– Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
– Vërtetim nga gjykata;
– Vërtetim nga prokuroria;
– 2 fotografi me përmasa 4 cm x 6 cm:
Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit, të cilat janë:
– vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga llogaritja e mesatares së dy cikleve në të njëjtën fushë studimi;
– vlerësim me testim i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT;
– intervistimi i aplikantëve;
– kontrolli shëndetësor;
– marrja e shenjave të gishtave;
– verifikimi përfundimtar i aplikantit.
Ky është kursi i tretë në kuadër të hapjes së aplikimeve nga Policia e Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit ftojnë dhe nxitin të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.