Parlamenti egjiptian ka miratuar vendosjen e forcave të armatosura jashtë vendit për të luftuar ‘grupet terroriste’ dhe ‘milicitë kriminale’. Masa vjen midis kërcënimeve të përsëritura nga Kajro për të ndërhyrë hapur në konfliktin libian.
Vendosja e trupave në ‘frontin strategjik perëndimor’ mori dritën jeshile nga ligjvënësit e vendit të hënën. Ushtria do të përdoret për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe për të luftuar ‘grupet terroriste’ dhe ‘milicitë kriminale’, thanë ligjvënësit në një deklaratë.
Më herët gjatë ditës, Presidenti Abdel Fatah el-Sisi dhe homologu i tij amerikan Donald Trump ranë dakord në një telefonatë në lidhje me nevojën për të vendosur një armëpushim në Libi dhe për të shmangur një përshkallëzim midis forcave që luftojnë atje, tha Kajroja zyrtare.
Miratimi i parlamentit nuk dha ndonjë afat kohor ose nuk përmendi shprehimisht ndonjë vend në veçanti ku trupat mund të vendoseshin. Sidoqoftë, situata në ‘frontin perëndimor’ të Egjiptit, në Libi, ka qenë veçanërisht e ndërlikuar prej shumë kohësh.
Vendi fqinj në Afrikën Veriore ka qenë i zënë në një luftë të tejzgjatur që kur udhëheqësi i saj, Muammar Gaddafi, u rrëzua dhe u vra brutalisht gjatë një kryengritjeje të mbështetur nga NATO-ja në vitin 2011.
Që atëherë, dy forca kryesore rivalizuese janë shfaqur: Qeveria e mbështetur nga Kombet e Bashkuara e Marrëveshjes Kombëtare (GNA) në Tripoli dhe Ushtrinë Kombëtare Libiane (LNA), me seli në Tobruk, e udhëhequr nga Feldmarshalli Khalifa Haftar.
Situata ka ndryshuar pasi Turqia u rreshtua hapur me GNA-në. Ankaraja nënshkroi një marrëveshje të sigurisë detare me qeverinë me qendër në Tripoli vitin e kaluar.
Ndërsa duhet theksuar se përplasja në Libi ka të bëjë edhe me përplasjes mes Turqisë nga njëra anë dhe Greqisë, Qipros, Izraelit e Egjiptit nga ana tjetër lidhur me burimet e hidrokarbureve në Detin Mesdhe.