Pavarësisht se autoritetet u kishin premtuar më parë se nuk do të shpërngulen nga bjeshkët e tyre, banorët e bjeshkës së Zhlepit po dëbohen nga policia kufitare e Malit të Zi.
Sipas Arbëresh.info, pesë familje tashmë janë dëbuar para pesë ditësh me dhunë nga “Kulla e Zhlepit”, zonë kjo e cila ka qenë pjesë e territorit të Kosovës para nënshkrimit të Marrëveshjes për përcaktim të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Një nga dëshmitarët, Rasim Mulaj, i cili është banor i fshatit Llukë të Komunës së Deçanit, ka treguar se si këto pesë familje bashkë me fëmijë e të rritur janë detyruar dhe keqtrajtuar për të lënë banesat e tyre nga policia e Malit të Zi.
“Nga data 30 e mujit të kalum e deri me datë 12 të këtij muaji, 5 familje i kanë largu prej ktyne bjeshkëve nga policia e Malit të Zi, pa asnjë lloj shkaku. Ata janë vonë 3 ditë për me ik me u regjistru dhe u thonin: Pse s’keni ik me u regjistru. Si duket e kemi për detyrim me ik me u regjistru në polici të tynen në doganë. Dhe i kanë çu teposhtë.
Një këtu e kanë çu para tre katër ditëve, vetëm pse i kishte ardh një njeri me pyt tek dera për një mik të vetin. E i thanë që tip o mban mysafir, me shku teposhtë. Këtu jemi në gjendje shumë të vështirë. Për çdo ditë këtu parashikohet me na çu teposhtë.”- tregon zoti Mulaj. Ai shprehet se nuk ka shumë shpresa se do të korrigjohen gabimet që janë bërë me demarkacionin me Malin e Zi.
Ndërkohë, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës që ka kundërshtuar marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, Ali Lajçi ka thënë se ky dëbim po bëhet në mënyre graduale dhe të heshtur për t’i larguar kosovarët nga ajo zonë.
Ka gati dy vjet që kur Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, me premtimin se i menjëhershëm do të jetë edhe vendimi për liberalizim të vizave. Por as kjo ende s’ka ndodhur.