Uashingtoni ka shtuar kreun e republikës jugore ruse të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, në listën e zezë të sanksioneve, duke e akuzuar atë për shkelje të shumta të të drejtave të njeriut. Kufizime u vendosën edhe kundër familjes së tij.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka ndaluar Kadirovin të hyjë në territorin e SHBA-ve, tha Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, në një deklaratë të hënën.
Ai tha se agjencia e tij ka ‘informacion të gjerë e të besueshëm’ se udhëheqësi çeçen qëndron prapa ‘shkeljeve të shumta të të drejtave të njeriut’ të kryera për më shumë se një dekadë.
Deklarata nuk i sqaroi më tej këto akuza por përmendi ato që quheshin ‘raporte të tmerrshme të abuzimeve ndaj personave LGBTI’ – diçka që autoritetet çeçene e kanë mohuar vazhdimisht.
Sanksionet nxitën një reagim të shpejtë nga lideri çeçen, i cili postoi një fotografi të vetes, ku shihej me dy mitralozë në duar, ndërsa shkruante: “Pompeo, ne e pranojmë luftën! Kjo do të jetë interesante” -shkroi ai.
Autoritetet amerikane nuk i kufizuan sanksionet vetëm ndaj Kadirovit, por vendosën kufizime të ngjashme edhe ndaj gruas së tij, Medni, dhe dy vajzave të tij më të mëdha – Aishat dhe Karina.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, reagoi ndaj masës amerikane duke thënë se ‘do të ishte e vështirë të sigurohej një përgjigje e ndërsjellë por Rusia do mendonte diçka të përafërt’.