Princi Harry dhe Meghan Markle po padisin fotografët për shkak se i kanë bërë foto djalit të tyre një vjeçar Archie me një dron.
Ata pretendojnë se paparacët e Los Anxhelosit “kaluan vijën e kuqe për çdo prind” duke kapur shumë foto në kopshtin e tyre në Beverly Hills.
Ata kanë vendosur të ndërmarrin veprime ligjore pasi zbuluan se fotografitë janë vendosur në shitje, sikur ato të ishin marrë gjatë një shëtitjeje në publik.
Por Harry dhe Meghan thonë që Archie nuk ka qenë askund në publik qëkur ata u transferuan në Los Anxhelos në muajin mars dhe i kanë quajtur fotografitë “të pështira dhe të gabuara”. Ata akuzojnë fotografët se u kanë cënuar privatësinë.
Gazeta The Sun shkruan se çifti mbretëror kanë punësuar avokatin Michael Kump nga firma juridike Kinsella Weitzman, që më parë ka përfaqësuar yllin e reality show-t, Kim Kardashian West.