Ambasadorja amerikane në Tiranë, Kim, ka dhënë një mesazh të fortë lidhur me reformën në drejtësi.
Në një postim në Twitter, ajo thekson se reforma nuk do jetë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur por është e nevojshme dhe do ecë përpara.
Reagimi i ambasadores vjen pak pasi Partia demokratike, denoncoi zv.Drejtoren e Përgjithshme të Policisë, Aida Hajnaj, e cila kandidon për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në denoncimin e PD-së, thuhet se Hajnaj është e përfshirë në një nga skandalet më të mëdha të Policisë së Shtetit, lirimin e të kërkuarit për trafik droge Naser Gashi.
Sipas PD-së, Hajnaj duhet skualifikuar nga gara për drejtuese të BKH, pasi ‘mbrojti policët që liruan trafikantin e drogës dhe pezulloi nga detyra policin që e denoncoi skandalin’.
“Duket sikur disa po ëndërrojnë që NBI (National Bureau of Investigation-Byroja Kombëtare e Hetimit) nuk do të themelohet kurrë, ata shpresojnë që drejtësia nuk do të vijë kurrë. Më vjen keq që po ju zgjoj nga dremitja juaj, por ëndrra juaj nuk do realizohet. Reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë ose e përsosur, por është e nevojshme dhe ne duhet të ecim përpara”, shkruan ambasadorja Kim në Twitter.