Kreu i PD-së, tha para pak çastesh së PD-ja dhe aleatët e saj do mbështesin hapjen 100% të listave por me kushtin që koalicionet të vijojnë siç janë deri tani e përllogaritja e mandateve të vijojë siç është deri tani.
Basha pohoi se edhe pse marrëveshja e 5 qershorit nuk është ajo që dëshironte, sërish është bazë për garantimin e zgjedhjeve normale në vend.
Kryedemokrati theksoi se opozita e bashkuar nuk do i njohë ndryshimet e njëanshme kushtetuese nga ana e mazhorancës.
“Së pari dua të shpreh fare qartë qëndrimin e Opozitës së Bashkuar se marrëveshja e 5 qershorit e cila më në fund u votua dje në Kuvendin e Shqipërisë është një bazë për garantimin e zgjedhjeve normale, nuk është ajo që dëshironim ne por një marrëveshje politike e arritur me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë të cilëve dua t’iu shpreh mirënjohjen. Përshëndes dhe qëndrimin e djeshëm të tyre. Opozita e Bashkuar është e vendosur të refuzojë çdo propozim unilaterak për ndryshime kushtetuese që prekin çështje lidhur me zgjedhjet.” – tha Basha.
Ai shtoi më tej se PD-ja ka qenë pro një sistemi mazhoritar më dy dhoma, por e ka pranuar sistemin aktual për hir të konsensusit.
“Kam qenë mbështetës i sistemit maxhoritar, me dy dhoma. Por për hir të konsensusit po hedhim këtë hap, të propozimit të hapjes me 100% të listave me kushtin që koalicionet të mbeten siç ekzistojnë sot në ligj dhe formula e ruajtjes së mandateve.” – shtoi Basha.