Gjermania ka refuzuar propozimin e presidentit amerikan Donald Trump për të lejuar Rusinë të kthehet në gupin e G7, të ekonomive të zhvilluara.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas në një intervistë të botuar të hënën.
“Arsyeja e përjashtimit të Rusisë ishte aneksimi i Krimesë dhe ndërhyrja në Ukrainën lindore“- i tha ministri Maas gazetës Rheinische Post. “Për sa kohë që ne nuk kemi një zgjidhje atje, unë nuk shoh asnjë shans për këtë.”
Rusia u përjashtua nga G7 në vitin 2014 pasi Moska aneksoi rajonin e Krimesë të Ukrainës.
“Vetë Rusia mund të japë kontributin më të madh në rihapjen e dyerve të tilla”- tha Maas, duke i kërkuar Kremlinit të bëjë më shumë për të kapërcyer konfliktin, shkruan DW.
Megjithatë ministry gjerman shtoi se nuk ka nevojë për më shumë anëtarë në G7 dhe G20. Sidoqoftë, kryediplomati gjerman tha se Rusia mbetet e rëndësishme për G7.
“Ne gjithashtu e dimë se kemi nevojë për Rusinë në mënyrë që të zgjidhim konfliktet në Siri, Libi dhe Ukrainë”– tha Maas.
Ai i bëri thirrje Rusisë të bëjë pjesën e saj në Ukrainë, duke thënë se Moska kishte qenë e ngadaltë për të vepruar atje.