Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar pas urdhër-arresteve të lëshuara sot nga SPAK-u për komisionerët politikë në lidhje me dosjen 339.
Meta thotë se ka ardhur koha për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë manipulimit të zgjedhjeve dhe blerjes së votive, ndërsa paralajmëron për ndëshkime maksimale për punonjësit e shtetit që keqpërdorin detyrën për të ndërhyrë në zgjedhje.
“Koha për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë manipulimit të zgjedhjeve dhe blerjes së votave! Ndëshkim maksimal për të gjithë manipuluesit dhe falsifikatorët e zgjedhjeve! Ndëshkim maksimal do të ketë për të gjithë punonjësit e shtetit që keqpërdorin detyrën për presione, shantazhe dhe krime zgjedhore!”, shkruan presidenti Meta.
Ditën e sotme, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit pas kërkesës së SPAK-ut ka lëshuar 22 urdërarreste lidhur me zgjedhjet e vitit 2017 në Durrës.
SPAK ka arritur në përfundimin se 14 nga personat që po hetohen kanë qenë përfaqësues të opozitës në komision ndërsa 7 përfaqësues të PS-së. Bëhet fjalë për ndërhyrjet në 3 qendra votimi në Durrës ku komisionerët akuzohen se kanë lejuar votuesit të votojnë më shumë se një herë.
Nga të ndaluarit, 11 janë arrestuar, 8 kanë marrë masën arrest shtëpie ndërsa 3 detyrim paraqitjeje.