Opozita e Bashkuar ka dalë e pakënaqur nga mbledhja e sotme e Këshillit Politik, duke konfirmuar edhe njëherë se nuk ka një pakt mes palëve lidhur me hapjen e listave dhe modelin e koalicioneve.
Përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, deklaruan se PD dhe LSI nuk heqin dorë nga kushti që koalicionet të mos ndryshohen, por PS nuk po ndryshon qëndrim dhe kërkon të ndalojë koalicionet.
“Të hapen 100% listat e kandidatëve duke ruajtur koalicionet pa prekur sikur janë sot dhe formulën e shpërndarjes së mandateve, por u ndeshëm me refuzimin e PD-së. PS-ja nuk ka ndryshuar asnjë centimetër. Janë veprime që do të prishin marrëveshjen e 5 Qershorit. Ne propozuam që të hiqet dorë nga ndryshimet e njëanshme, të hartohet një amendimet për hapjen e listave, pa prekur asgjë tjetër. Për të garantuar që procesi do të mbetet i paprekur ndryshimet kushtetuese dhe në kodin zgjedhor të jenë bashkë, kur ti çohen parlamentit. Kemi një model për 17 vjet dhe koalicionet nuk kanë asnjë problem, është vetëm një lojë e Ramës për t’u hequr mundësinë shqiptarëve që të përcaktojnë me votën e tyre kush është fuqia elektorale. Edi Rama ka frikë nga opozita e bashkuar. jemi gati për të vijuar diskutimet për të bërë amendimet për hapjen 100% të listave pa prekur asgjë tjetër”– tha Oerd Bylykbashi.
Ndërkohë Petrit Vasili tha se përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjiknuri, iu shmang pyetjes për modelin e fletës së votimit. Sipas tij, maxhoranca po tenton të ndalojë koalicionet nga frika e humbjes.
“Desha t’u sqaroj që në 6 muajt e këtij komisioni kërkush askush as nga PS-ja dhe as nga të tjerë në atë sallë apo kuvend nuk është kërkuar edhe njëherë që të flitet për koalicionet parazgjedhore. I vetmi argument që është ngritur ka qenë për listat e hapura. Edhe zonja Hajdari tha sot se kishte firmosur vetëm për listat e hapura, jo koalicionet, i gjithë ky puç bëhet nga PS-ja. Koalicionet parazgjedhor do të thotë humbje për Edi Ramën. Gjiknuri pyetjes për modelin e fletës së votimit iu shmang duke thënë se është problem teknik, por Edi Rama është ç’jerrë duke thënë fletë votimi sa një çarçaf, ndërsa kur zgjidhja është para syve e shmangin”– tha Vasili.