Nënshkruhet marrëveshja mes partive kryesore shqiptare në Mal të Zi, për të garuar së bashku në një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit.
Nazif Cungu i cili është kryetar i Forcës së Re Demokratike, ka deklaruar se ky bashkim mes partisë së tij dhe partive të tjera shqiptare si Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare, Unioni i Tuzit si dhe Lëvizja Qytetare Perspektiva, synon maksimalizim të votës si dhe përfaqësim të denjë të komunitetit shqiptar në Parlamentin malazez.
“Sapo nënshkruam marrëveshjen e koalicionit gjithpërfshirës për zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, mes Forcës së Re Demokratike, Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare, Unionit të Tuzit si dhe Lëvizjes Qytetare Perspektiva.
Ky bashkim i partive kryesore shqiptare të Malit të Zi, bëhet në interes të popullit tonë duke synuar maksimalizimin e votës shqiptare.
Shpreh mirënjohjen ndaj diasporës dhe aktorëve të tjerë politikë, që kanë këmbëngulur për të krijuar një listë të përbashkët elektorale që do të mundësoj një përfaqësim më të denjë e të plotë të popullit shqiptar në parlamentin e Malit të Zi.”– shkruan Çungu.
Njëlloj vepruan edhe partitë shqiptare në Luginën e Preshevës, ku shqiptarët morën 3 mandate deputetësh.