Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, ka pohuar sot se qytetarëve të Shqipërisë dhe Luginës së Preshevës, nuk do t’u kërkohet testi negativ për Covid-19 në rastet kur do hyjnë në Kosovë.
Lajmi është pohuar nga kreu i shëndetësisë me anë të një statusi në Facebook, pas takimit me ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi.
“Sapo u takova me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë z.Qemal Minxhozi, të cilit i konfirmova se qytetarëve e Republikës së Shqipërisë që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, nuk i kërkohet testi për COVID-19. Vendimi i Qeverisë se Kosovës është bazuar në parim të reciprocitetit, si rrjedhojë nuk kërkohen testime nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë dhe as nga bashkëqytetarët tanë nga Lugina e Preshevës. Bashkë me ambasadorin Minxhozi, u zotuam që do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë mes dy shteteve!” –shkruan Zemaj në Facebook.