Vendosni fjalën kyçe....

Isa Mustafa mund koronavirusin: Më uruan vdekjen dhe sajuan varrimin tim


Kreu i LDK-së, Isa Mustafa e ka fituar betejën me koronavirusin. Ai e ka dhënë lajmin përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ku i adresohet edhe lajmeve për vdekjen e tij.

Ai thotë se ato lajme i tmerruan familjarët, të cilët nuk ishin në dijeni të asaj se çfarë po ndodhte me të për shkak të sëmundjes.

“Miq të nderuar, kishte edhe të tillë që i duartrokitën sëmundjes time e që uruan vdekjen time. Pati të sojit që sajuan varrimin tim virtual në rrjetet sociale e ma tmerruan një pjesë të familjes e cila nuk ishte në rrjedhë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodhë.”- shkruan Mustafa.

Ai i uron shërim të shpejtë të sëmurëve të tjerë, ndërsa shpreh ngushëllimet për ata që kanë humbur familjarët për shkak të Covid-19.

Mesazhi i plotë i Mustafës:

Miq të nderuar
Dua te ndaj me ju lajmin se kam rezultuar negativ, pas perballjes me Covid-19. Kam nderin të falënderoj gjithë ata që janë lutur për shëndetin tim. Familjen time të mrekullueshme për kujdesin e parreshtur, bashkëshoren Qevseren, vajzën time, doktoreshën Afërditë, djemtë Arbenin e Besnikun dhe nipin tim Metin; motrat dhe vëllezërit.
Një falënderim të veçantë e meritojnë mjekët tanë të fushave të ndryshme që më udhëzuan dhe rekomanduan kur kisha nevojë, prof . Dr Sali Ahmeti, prof. Dr Afrim Gashi, dr. Rexhep Manaj, dr. Valbon Krasniqi, prof. dr. Venera Berisha-Muharemi, dr. Bujar Gjikolli. Mjekët dhe sistemi shëndetësor meritojnë shumë më shumë sesa që ne u ofrojmë.
Falënderoj për mbështetje nga bashkëpunëtorët e LDK-së, kolegët nga ASHAK dhe Universiteti i Prishtinës!
Falënderoj Presidentin Thaçi, Presidenten Jahjaga, Kryeministrin Hoti, Kryeparlamentaren Osmani, Kryetarin e PDK-së, Veseli, Kryetarin e AAK-sê, Haradinaj, Kryetarin e Nismës, Limaj, kryetarin e AKR-së, Pacolli, kryetarin e Prishtinës, Ahmeti, nënkryetaren e Kuvendit nga VV, Nagavci; burrështetasit shqiptarë: Presidentin Ilir Meta, Presidentin, Sali Berisha, Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e PD, Lulzim Basha, Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramos Ruçi, Sekretarin e PS, Taulant Balla, kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti; si dhe ambasadorin e SHBA-së Kosnett, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Abott, ambasadorin e Italisë, Orlando, ambasadori zviceran, Lebet, deutetë të pozitës dhe opozitës dhe shumë qytetarë për tregimin e kujdesit dhe urimet e tyre për shëndetin tim.
Miq të nderuar, kishte edhe të tillë që i duartrokitën sëmundjes time e që uruan vdekjen time. Pati të sojit që sajuan varrimin tim virtual në rrjetet sociale e ma tmerruan një pjesë të familjes e cila nuk ishte në rrjedhë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodhë.
Edhe këtyre iu uroj shëndet; fëmijëve dhe familjeve të tyre! Fati ynë ështe që tjetërkush vendosë për jetën tonë, ndërsa me disa merret drejtesia.
Covid-19 po bënë të veten, por ne duhet ta bëjmë tonën, të respektojmë rregullat që kërkohen nga institucionet shëndetësore.
Uroj që ata që janë prekur me Covid-19 të shërohen sa më shpejtë, kurse me dhembje të thellë u shpreh ngushëllime të gjitha familjarëve që humbën të afërmit e tyre. IM


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *