Vendosni fjalën kyçe....

Ishte i prekur me Covid-19, ndërron jetë gazetari nga Kosova


Ndërron jetë gazetari kosovar nga Ferizaj dhe punonjësi i kësaj komune, Musli Berisha.

Lajmi është konfirmuar nga Komuna e Ferizajt, ndërsa kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, i është drejtuar familjes Berisha nëpërmjet një telegrami ngushëllimi.

“Sot, mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim, punonjësit të Komunës, shkrimtarit të veçantë e gazetarit shembull e të rrallë mes nesh, prindit shembullor, Musli Berisha. Zëri i tij karakteristik do të mbahet mend gjatë nga ekrani, gazetaria që zhvilloi ndër dekada gjithashtu, tavolinës së zyrës do t’i mungoj një koleg i shkëlqyeshëm e qytetar shembull. Ferizaj, gazetaria, letërsia e tij, me këtë humbje, varfërohet. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e kolegëve të të ndjerit. Dritë pastë shpirti i tij në paqen e pasosur” mbyllet telegrami i ngushëllimit”, shkruan Aliu për Berishën.

Ndërkohë, lidhur me lajmin e hidhur ka reaguar edhe kreu i Degës së LDK-së atje, Muharrem Sfarqa, i cili ka deklaruar se gazetari veteran ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit.

“Lamtumirë miku im – Musli Berisha!
Lajm shumë i rëndë, tronditës e shumë pikëllues, lajmi për shuarjen e mikut tim të ngushtë Musli Berishës, njeriut me të cilin njohjen e lidhjen shoqërore e filluam nga bankat e shkollës fillore për të mos e shkëputur asnjëherë.
Në studime ishim po ashtu bashkë, madje edhe shok grupi. E pata edhe këshilltarin më të mirë të Kabinetit, gjatë kohës sa isha Kryetar i Komunës së Ferizajt. U ndihmuam reciprokisht.
E motivova shumë që të realizohej në fushën e letërsisë, aty ku ishte me plotë ide e talent të jashtëzakonshëm, pasi tashmë në gazetarinë e publicistikën Ferizaja se ishte modeli vetë.
I gëzohesha çdo vepre që botonte, disa prej të cilave i lexova në formë dorëshkrimi.
Në njërën nga bisedat e fundit, në vend se të fliste për shëndetin që po e dobësonte më foli me një humor të papërshkrueshëm për pengun që po i mbetet, i papërfunduar një libër i ri, dhe vetë e tha, që askush nuk vdes pa i mbetur diçka peng.
I dashur, i ndershëm, human dhe intelektual i përmasave të mëdha, por i heshtur e pa bujë ishte në jetë. Ashtu edhe iku prej saj, sado që kishte edhe shumë për të dhënë.
Me kot u munduan edhe mjekët Ferizajas (Dr. Fatbardh Ramadani, Dr. Nehat Baftiu e Dr. Imri Jashari) e më gjërë, e në veçanti Drejtori i QSKUK-së Dr. Valbon Krasniqi, që të i’a rikuperonin dëmet që i kishte shkaktuar virusi Covid- 19.”– shkruan Sfarqa.

Kreu i LDK-së në Ferizaj, shkruan se do të kujtohet gjithmonë jeta dhe vepra e Berishës ndërsa u shpreh ngushëllimet e tij familjes, miqve, shokëve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën gazetarin dhe shkrimtarin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *