Një sulm me armë në Suedi, ka lënë të vdekur një vajzë 12-vjeçare duke tronditur vendin, ndërsa qeveria zotohet edhe një herë që të forcojë policinë dhe të vendosë dënime më të ashpra për të ndaluar valën e dhunës së bandave.
Vogëlushja e cila nuk është identifikuar nga autoritetet, u qëllua herët të dielën në mëngjes pranë një pike të “McDonalds” në periferi të Stokholmit. Ajo u dërgua në spital por për fat të keq nuk ka mundur dot të mbijetojë.
Autoritetet nuk besojnë që vajza të ketë qenë shënjestër e sulmit, por dy burra të tjerë që ndodheshin në vendngjarje dhe që besohet se ishin të lidhur me një bandë kriminale. Ajo u godit nga një “plumb qorr”.
Ministri i Drejtësisë, Morgan Johansson, thotë se ai është “tronditur” kur ka dëgjuar për të shtënat, ndërsa u zotua të mobilizojë “më shumë policinë” për të parandaluar tragjedi të ngjashme në të ardhmen dhe të imponojë “dënime të ashpra” për kriminelët .
Të shtënat kanë ndezur një stuhi të ashpër polemikash në të gjithë Suedinë. Opozita këmbëngul që autoritetet të ndërmarrin veprime më agresive për të trajtuar krimin.
Ende nuk është bërë asnjë arrestim, por disa të dyshuar janë ndaluar për t’u marrë në pyetje. Mediat lokale shkruajnë se miqtë e 12-vjeçares janë kthyer në vendin ku ka ndodhur ngjarja, duke ndezur qirinj pranë dyqanit të McDonalds.