Ndahet nga jeta në moshën 96-vjeçare, Sergio Zavoli, mjeshtër i gazetarisë televizive italiane.
Ai konsiderohej si “Babai” i programeve historike si “La notte della Repubblica”, ai ishte komentator në radio, bashkëdrejtor i lajmeve, drejtor i GR, president i Rai-it nga 1980 deri në 1986 dhe autor i investigimeve që kanë mbetur në histori.
Lindur në Ravenna në vitin 1923, Zavoli ishte bashkuar me Rai-n në 1947-ën si gazetar në radio. Zavoli pati transmetime mjaft të suksesshme si TV7, AZ, Controcampo.
Ai ishte gjithashtu redaktor i Mattino di Napoli (1993-94) dhe ka punuar si kolumnist për revista të ndryshme si Oggi, Epoca, Jesus.
Në vitin 2009, Zavoli u zgjodh kryetar i komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e Rai-t. Ai ka shkruar ese, të tilla si “Udhëtimi rreth njeriut” (1969), “Lindja e një diktature” (1973), “Nata e Republikës” (1992).
Ai gjithashtu botoi libra si “Fëmijët e labirintit” (1974); “Socialisti i Zotit” (1981); “Romancë”(1987); “Me këtë ritëm” (1993); “Një vështrim i kujdesshëm” (1995); “Dosja e kancerit” (1999); “Dhimbja e padobishme” (2002). Në vitin 2011 ai botoi librin autobiografik “Djali që isha”.
Ceremonia mortore sipas mediave të shtetit fqinj, është organizuar për nesër në Senat dhe më pas do të përcillet për në banesën e fundit.