Avokati i biznesmenit Ylli Ndroqi, doli para pak çastesh në një konferencë për shtyp ku tregoi dokumentet që sipas tij faktojnë rregullsinë e pasurisë e bizneseve të klientit të tij.
Sipas Alban Qafës, të gjitha bizneset dhe investimet e Ndroqit janë bërë me financim nga bankat private në vend me kredi. Ndër të tjera ai tha se 4 nga 26 pronat që SPAK-u ka kërkuar sekuestrimin e tyre nuk ekzistojnë.
“Me vendim gjykate është kërkuar nga SPAK-u sekuestrimi i 3 automjeteve. Është edhe një apartament në Durrës. Të katër objektet e lartpërmendura nuk ekzistojnë. Nuk e dimë ku i ka gjetur SPAK-u këto.” – tha Qafa.
Pak ditë më parë, SPAK-u u përfshi nga një skandal teksa u dërgoi urdhërarreste lidhur me Dosjen 339 për zgjedhjet në Durrës, dy komisionerëve që kishin ndërruar jetë prej kohësh.
SPAK njoftoi më pas se familjarët e personave të vdekur nuk i kishn çregjistruar të afërmit në kohë, por kjo u përgënjeshtrua brenda ditës nga familjarët e të ndjerëve që thanë se i kishin kryer veprimet në kohë siç i parashikon ligji.
Avokati tha gjithashtu se hetimet nga SPAK-u janë të paligjshme ndërsa shtoi se një pjesë e pasurive që janë sekuestruar nuk janë në pronësi të Ndroqit.